Ky që është bërë, është koalicioni Thaçi – Mustafa

30 prill 2020 | 09:45

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se LDK-ja është kthyer në komoditetin e vjetër aty ku, sipas saj, ndahet hisja e shtetit si të ishte pronë private, e ku nuk ka parime. “E shoh si rikthim të LDK-së, në këtë rast të Mustafës dhe të tjerëve, në komoditetin e tyre, ku ndahet hisja e shtetit si të ishte pronë private dhe shumë lehtë merren vesh nëse nuk diskutohen parimet. Përderisa kontradikta e thellë është ajo se çfarë deklaronin përgjatë bisedimeve me Vetëvendosjen, prej letërkëmbimit të parë, dhjetë ditë iu deshën, dhe deklarata të ndryshme pozitive dhe asnjë kusht”, ka thënë Kusari-Lila në KTV.

Sipas saj, të dyja partitë kanë shkelur mbi vullnetin e qytetarëve të zgjedhjeve të 6 tetorit. “Ky nuk është vullnet i 6 tetorit. Kjo është e kundërta. Sikur të ishim me këtë vullnet do të prisnim që të bëhen kushtet për të shkuar në zgjedhje. Ky është dhunim i vullnetit të elektoratit të 6 tetorit. Të dyja partitë kanë shkelur mbi atë se me çka kanë fituar votat më 6 tetor”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se AAK-ja nuk e përmend fare taksën, derisa e quan këtë koalicionin Thaçi – Mustafa.

“LDK-ja kishte bërë premtime se s’do të kishte marrëveshje me PAN-in. Tek AAK-ja, Haradinaj ishte aq këmbëngulës për taksën sa i kushtoi me postën e kryeministrit. As edhe një fjali e vetme nuk është për taksën. Është shkelur mbi çdo gjë mbi atë se për çfarë kanë marrë votat. Shumë lehtë mund të themi se ky është koalicioni Thaçi – Mustafa, të tjerët janë përcjellës. Këta përnjëherë duan që të kthehen në të kaluarën”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, tani ka dalë në pah plani i LDK-së.

“Sikur të mos ishte ky plani që tashmë doli i LDK-së, që të kthehej me një qeverisje në një shtet të kapur. Ku është çështja e presidentit, posti për ministrin e Brendshëm, i gjithë ai insistim për të mbajtur poste të tilla, duket se i kanë shërbyer këtij plani. Të diskutosh 5 muaj dhe të nxjerrësh kushte për pozita të caktuara, krejt kjo duket se ishte në frymën e një skenari, për t’u kthyer për t’i shërbyer presidentit Thaçi”, ka thënë ajo. Sipas saj, LDK-ja dhe AAK-ja janë bashkuar për shkak të interesave të tyre të ngushta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në të gjithë botën, njerëzit janë duke pritur për njoftimin…