MPBAP-ja: Jabllanoviqit iu dha leje për qarkullim sikur të gjithë kryetarëve të partive

30 prill 2020 | 12:58

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik nga koronavirusi.

Por, në këtë vendim pati edhe përjashtime për disa grupe që u lejuan të zhvillojnë aktivitetin e tyre, përfshirë këtu edhe partitë politike.

Mbrëmë në medie ka “qarkulluar” leja që kishte marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës (Partija Kosovskih Srba – PSK), Aleksandar Jabllanoviq.

Nga kjo ministri për “klankosova.tv” ka thënë se të gjitha partitë politike në Kosovë kanë të drejtë që të dërgojnë një listë të stafit të tyre esencial për të marrë leje, e që njëjtë kishte ndodhur edhe me Jabllanoviqin.

“Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse Covid-19, ju njoftojmë se edhe partitë politike në kuadër të aktivitetit të tyre, në bazë të këtij vendimi kanë përcjell listën e stafit të tyre esencial për t’u pajisur me leje për qarkullim”.

“Ju njoftojmë se kjo leje rregullon specifikisht vetëm lëvizjen brenda territorit të Republikës së Kosovës, por jo daljet dhe hyrjet jashtë territorit. Po ashtu, vlen të theksohet se të gjitha partitë politike, të cilat kanë bërë kërkesë me listën e stafit të tyre esencial tashmë janë pajisur me leje”, është thënë në përgjigjën e MPBAP-së.

Në lejen e dhënë nga MPBAP-ja për ish-ministrin për Kthim dhe Komunitete, që ishte shkarkuar pasi kishte ofenduar nënat e Gjakovës, është thënë se Jabllanoviqi ka të drejtë për lëvizje për t’i kryer aktivitetet e tij partiake brenda territorit të Kosovës.

“Lejohet qarkullimi në hyrje dhe dalje në të gjitha zonat e karantinës, si dhe në zonat tjera në Republikën e Kosovës, si dhe në zonat tjera gjatë orëve ku është i ndaluar qarkullimi në Republikën e Kosovës për z. Aleksandar Jabllanoviq , kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës me numër …. t’i kryejë detyrat si kryetar partie. Policia e Kosovës obligohet për zbatimin e këtij vendimi”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Ankaraja është nisur avioni i dytë ushtarak kargo i…