Kurti: KEK-u, pasuri natyrore, kapacitet prodhues dhe organizatë e punëtorëve

30 prill 2020 | 15:07

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës,  Albin Kurti,  së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, zëvendësministrin e saj, Edison Jakurti dhe ish-drejtorin e “Trepçës” dhe ish0kryesuesin e bordit të KOSTT-it, Nazmi Mikullovci, kanë vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Kurti me bashkëpunëtorë është pritur në KEK nga ushtruesi i detyrës se kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Luigj Imeri, anëtarët e Bordit të përkohshëm të drejtorëve, anëtarë të menaxhmentit të KEK-ut dhe përfaqësuesit e punëtorëve.

Në këtë vizitë janë përfshirë vizitat në Termocentralin Kosova-Divizionin e Qymyrit dhe Termocentralin Kosova-B.

Aty, kryeministri në detyrë është informuar mbi punën e kësaj korporate, veçanërisht në situatën e pandemisë .

Sipas u.d. të kryeshefit ekzekutiv, Luigj Imeri, në përputhje me këshillat mjekësore dhe masat e qeverisë me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit “Korona”, KEK-u ka reduktuar stafin e punëtorëve.

“Megjithatë, prodhimi nuk është ndaluar e as nuk ka munguar, ashtu që furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës të jetë i rregullt. Punëtorët janë pajisur me masat mbrojtëse me kohë dhe gjatë gjithë kohës, si dhe kanë respektuar udhëzimet përkatëse”, ka thënë ai.

Më tutje, ai e ka informuar kryeministrin në detyrë Kurti edhe për planet afatshkurta dhe afatmesme të KEK-ut.

Ndërsa kryeministri në detyrë Kurti, ka falënderuar të gjithë për punën e palodhshme dhe tejet të rëndësishme.

Për të dhe qeverinë në detyrë KEK-u ka rëndësi të trefishtë; (i) është pasuri natyrore, (ii) kapacitet prodhues dhe (iii) organizatë e punëtorëve.

Ai ka shprehur mbështetje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar ashtu që rritet dhe stabilizohet prodhimi dhe të përmirësohen kushtet e punës në këtë ndërmarrje.

Kurti ka thënë se KEK-u ka nevojë për investime të duhura, menaxhim të mirë dhe ndërlidhje me hallkat e ekonomisë duke qenë se energjia është epiqendër e zhvillimit ekonomik.

Kryeministri në detyrë Kurti ka uruar për pavarësimin elektro-energjetik të Kosovës pas votimit të suksesshëm të marrëveshjes së re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E. Kjo marrëveshje e largon Kosovën nga blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut dhe e bashkon Kosovën me bllokun rregullues Kosovë-Shqipëri, dhe si rezultat mundëson funksionalizimin e interkonjeksionit 400kV në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Si e tillë, ajo do të jetë ndihmë për gjenerim me të madh përveç se furnizim më të mirë me energji elektrike.

Kryeministri në detyrë Kurti është zotuar se do te jetë gjithnjë pranë KEK-ut dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, si asnjë kryeministër më parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rajoni i Lombardisë do t'i kërkojë 20 miliardë euro gjobë…