BE-ja ia jep Kosovës pjesën e parë të ndihmës prej 5 milionë euro për Covid-19

30 prill 2020 | 17:38

Ambasadorja Natalia Apostollova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësuese e Posaçme e BE-së, e ka dorëzuar pjesën e parë të ndihmës nga BE-ja për Kosovën prej 5 milionë eurosh për luftimin e Covid-19.

Ndihma u pranua nga Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë i Kosovës, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë.

Kjo ndihmë, e bartur me 5 kamionë, përfshin mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje njëpërdorimshme, dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.

“Ky është momenti kur mund të ofrojmë mbështetje konkrete të Bashkimit Evropian për njerëzit në nevojë dhe profesionistët e shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të kësaj pandemie – në luftë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, ka thënë ambasadorja Apostolova pas dorëzimit të pajisjeve.

“Në mars, kur pandemia goditi Kosovën, ju thamë se këtë do ta kalojmë së bashku. Sot, treguam që e mbajtëm fjalën. Përkundër situatës së vështirë në vendet anëtare të BE-së, BE-ja është e vendosur t’i ndihmojë Kosovës, dhe kjo që po shohim sot është veç fillimi. Shumë furnizime të tjera medicinale dhe pajisje mjekësore, pjesë e ndihmës tonë emergjente prej 5 milion eurosh, do të dorëzohen gjatë javëve të ardhshme”, ka thënë ajo.

Furnizimet e tjera medicinale do të përfshijnë ventilatorë, pompa infuzioni, automjete ambulancë, oksimetra pulsi, shtretër spitalorë, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë, maska, teste, epruveta, barna dhe artikuj të tjerë të nevojshëm.

Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë për grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media që…