Unë nuk jam kriminel, është hera e parë që jam frikësuar prej një shteti

30 prill 2020 | 19:32

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka mbërritur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Në një deklaratë për media, Pacolli ka thënë se ai nuk është kriminel që të bëhen thirrje për arrestimin e tij, raporton “Epoka e re”.

Pacolli ka thënë se është frikësuar për herë të parë prej një shteti me lojërat që ka dëgjuar.

Lideri i AKR-së ka thënë se asnjëherë nuk do të veprojë kundër rregullave dhe ligjeve të Republikës së Kosovës.

Kur është pyetur se a do shkojë në Konvikt apo në Hajvali, Pacolli është përgjigjur: “Nuk e di si janë procedurat, asnjëherë nuk veprojë kundër rregullave e ligjeve. Është e papranueshme që të paragjykohet me arrestim dhe të bëhet presion i paparë ndaj një qytetari të Kosovës. Asnjëherë nuk jam shprehur dhe nuk do të veprojë jashtë normave. Unë jam qytetar i rëndomtë si gjithë ju dhe të tjerët, unë ju nënshtrohem të gjitha masave”, ka thënë ai.

Pacolli ka thënë se nuk i ka pëlqyer deklarata e ushtruesit të detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, deklarata e Sveçles ka qenë live e transmetuar në televizionet ballkanike, sidomos në Serbi.

“Unë nuk jam kriminel, jam qytetar i denjë i këtij shteti, e dua këtë shtet. Unë ka zgjedhur Kosovën për të jetuar. Është hera e parë që jam frikësuar prej një shteti, nga lojërat që janë bërë”, është shprehur Pacolli.

Ai ka thënë se është frikësuar nga “institucionet e Kosovës se mund të kryhet akt terrorist në aeroplanin tim”.

“Kam qenë dy muaj i vetizoluar me përgjegjësi me familjen time. Ditën kur kam dashur të vijë në Kosovë e kam kryer testin. Testi ka rezultuar negativ. Jam nisur për në Kosovë. Leja fillimisht është anuluar. E dyta është kushtëzuar me implikime të tjera, se me dhënien e lejes duhet të involvohen disa ministri. Unë fluturoj me një fluturake ku nuk ka asnjë forcë. Jam frikësuar për herë të parë nga institucionet e shtetit tim se mund të kryhet akt terrorist në aeroplanin tim dhe kam aterruar në Tiranë. Është hera e parë që frikohem nga një shtet. Sot jam kontrolluar, kam kryer procedurat dhe vazhdoj jam në dispozicion. Nuk e di kah do të më çojnë. Jam frikësuar nga të gjitha presionet që kam marrë deri kur jam nis për në Kosovë”, ka thënë Pacolli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tenisti spanjoll Rafael Nadal, numri 2 në botë për meshkuj,…