01 maj 2020 | 23:36

Në vend të parathënies

Lavdia Juaj s’ka nevojë për asgjë,
e jona ka nevojë për Ju!
(Molieri)

Njëri ndër moshatarët dhe bashkëluftëtarët më të ngushtë të kryekomandantit të Lëvizjes Kaçake, Azem Bejtë Galica, ishte edhe Vesel Rexhepi- Galica, i njohur më shumë si Vesel Haxha, gjegjësisht edhe Vesel Hoxha, meqë ishte hoxhë. Ky personalitet i shquar i Galicës, duke qenë edhe hoxhë i shkolluar e mendjehollë prej natyre, pastaj duke qenë edhe pjesëtar i rregullt i Lëvizjes Kaçake dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i Epopesë së Arbërisë së Vogël, e cila u thur me gjak lirie, më 15 korrik 1924, ishte treguesi më besnik i atyre ngjarjeve. Këtë “arkiv” të gjallë, më së miri e shfrytëzoi studjuesi i njohur drenicas, dr. Mehmet Rukiqi, kur, në janarin e vitit 1971, për tri ditë rresht ishte në Sfaraçak dhe në mënyrë profesionale e intervistoi këtë dëshmitar. Materialin, ende të pa publikuar, në 26 faqe të daktilografuara e që është tejet i rëndësishëm për historiografinë tonë, ma dha për konsultim gjatë përgatitjes së këtij libri, andaj e falënderoj nga zemra dhe i jam shumë mirënjohës.
Në të vërtetë, djali i Vesel Galicës, Rexhepi, qe nismëtar i kësaj pune. Ai, duke e mbajtur mend mirë atë intervistë, bashkë me të birin, prof. dr. Shyqyri Haxhën, që atëbotë ligjëronte në Universitetin e Kentit, në Britani të Madhe, ndërkaq aktualisht është Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së, u interesuan që ky material ta shohë dritën. Dhe, një ditë, të gjithë tok, vajtëm në Prishtinë, takuam profesor Mehmetin, e morëm materialin dhe i hyra kësaj pune. Të kuptohemi qartë, materialin e dr. Mehmet Rukiqit, nuk po e publikojë, atë e bën ai vetë, ashtu origjinal, por atë e shfrytëzova, bashkë me të dhëna të tjera gojore e të shkruara, për ta portretizuar këtë burrë të mençur e luftëtar. Nëse ia kam dalë të bëj diçka do të ndjehem i lumtur…

GALICA NË FAQET E HISTORISË

Kësaj bote i dilet veç me majën e shpatës dhe duhet të vdesim me armë më dorë.
(Volteri)

Në vazhdën e luftërave qindvjeçare të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, që pamëshirshëm u vërsulën mbi trojet tona, u veçuan disa lokalitete dhe vendbanime për një qëndresë dhe rezistencë të përhershme. Ato, nëpër vite e shekuj, u përballuan rrebesheve dhe stuhive shkatërrimtare e robëruese, për çka bënë emër dhe zunë vend nderi në faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Në mesin e këtyre vendbanimeve me tradita luftarake e patriotike, emri i të cilave na ngjall ndjenja të veçanta respekti e admirimi, qëndron edhe fshati Galicë. Galica, me gjakun e bijve dhe bijave të veta, në çdo gur e në çdo shkëmb, e shkroi historinë e pashlyeshme, e cila i sfidoi të gjitha historitë borgjeze e tendencioze që patën karakter falsifikues e denigrues.
Galica shtrihet midis kodrash e brigjesh gjysmë të zhveshura në verilindje të Drenicës së Kuqe, mu në mbarim të vargmaleve të Qyqavicës mitike. Është vendbanim i tipit të dendur, rreth 13 km në perëndim të Vushtrrisë së lashtë, të cilës, bashkë me Dubocin dhe Besnikun, ia bashkëngjitën pushtetarët e kohës së pasluftës së Dytë Botërore, mu për shkak të minierës së magnezitit. Deri në vitet ’50-ta Galica i takonte komunës së Prekazit, pra i takonte Skënderajt. Megjithatë, edhe sot, ajo, defakto, mbetet pjesë e Drenicës, sepse siç ka thënë Dr. Islam Dobra “Pa Galicë, nuk ka Drenicë”!
Galica është një vendbanim shumë i lashtë. Këtë e dëshmojnë edhe disa toponime si: Livadhi i Kolë Bibës, Vorret e katolikëve, Katuni i moçëm, Arat e Katunit të moçëm, Lugu i Katunit të moçëm etj.
Me patronimin e toponimit të parë, pra me emrin Kolë, lidhet edhe vetë emri i Galicës. Kështu në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk, të vitit 1445, si Kalica dhe Kaliça. Si vendbanim është regjistruar në Muhasebe-i Vilayet-i Rum-ili Defteri 1530 (937 h), në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë, me emrin Galiçe. Në defterin kadastral të Sanxhakut të Vushtrrisë, të vitit 1566-74 me emrin Galiça. Në shtesën e relacionit së arqipeshkvit Pjetër Karagiqit të vitit 1725, shkruan se në qytetin e Pejës misionar është don Ndre Braçani, misionit të së cilit i takon Galizza me 8 shtëpi e 50 anëtarë besimtarë të krishterë. Në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h) është regjistruar me emrin GALICË .
Se galicasit e hershëm, si të gjithë shqiptarët, i përkisnin krishtenizmit, dëshmojnë gjurmët e varrezave të vjetra, të cilat ruhen ende mu në varrezat e sotme, me emri Vorret e moçme, Vorret e vaktit t’moçëm, Vorret e katolikëve, Vorret e kaurrit. Paskëtaj, edhe në vendin e quajtur Gllavica, një kodër e spikatur përbri varrezave, ka gjurmë themelesh të një kishe.
Galica kap një sipërfaqe prej 443 h, 41 ari e 62 metra katrorë. Ajo kufizohet me Mikushnicën, Prekazin, Lubovecin, Ashlanin, Taraxhën dhe Dubocin. Ka pozitë të mirë gjeografike dhe strategjike, gjendet në një fushëgropë të rrethuar nga të gjitha anët me male e kodra gjysmë të zhveshura shkëmbore.
Të gjithë banorët e Galicës i përkasin një barku dhe një fisi, fisit KUÇ. “Kuçi bashkë me Hotin dhe Kelmendin, sipas të gjitha burimeve të shkruara ekzistuese, janë paraqitur qysh gjatë shekujve XIV- XV dmth janë ndër fiset më të vjetra shqiptare“.
Të këtij fisi janë edhe Prekazi, Tërnavci, Abria, Murga, Lutogllava e Pejës, një pjesë e Tërdecit dhe një pjesë e Mikushnicës, andaj edhe sot e kësaj dite pjesëtarët e këtyre vendbanimeve i ruajnë këto lidhje dhe nuk lidhin krushqi e martesa.
Galica është e ndarë në këto lagje e barqe:
1. Fetahaj- lagje e madhe që tashmë është ndarë në këto vëllazëri:
a) Haxha- dy shtëpi në Galicë, dy në Mitrovicë, një në Vushtrri dhe shtatë në Sfarqak
b) Haziri- tri shtëpi në Galicë e tri në Vushtrri,
c) Salihu- një shtëpi në Galicë e gjashtë në Vushtrri.

2. Halitaj- lagje e madhe që tashmë është ndarë në disa vëllazëri:
a) Syla-Haliti tetë shtëpi, katër në Galicë, dy në Shipol e dy në Vushtrri.
b) Tahiri- tetë shtëpi, dy në Galicë e gjashtë në Vushtrri,
c) Shabani- dhjetë shtëpi, tri në Galicë, pesë në Shipol, dy në Vushtrri dhe
d) Kamberi- dy shtëpi në Galicë e dy në Vushtrri.
Të kësaj lagjeje janë edhe gjashtë shtëpi në Rashincë të Shtimjes dhe një në Prishtinë, të cilat mbajnë mbiemrin Lami gjegjësisht Galica.

3. Bahtiraj- familja e Azem Galicës, disa kanë dalë bashkë me Shotën në Shqipëri (Bahtiri me disa të tjerë), kurse këta që kanë mbetur këtu quhen Sahiti (dy shtëpi në Galicë e gjashtë në Vushtrri).

4. Veliaj- patronim i hershëm, që sot është shndërruar në Halili; tetë shtëpi në Galicë e katër në Vushtrri, tri në Mitrovicë. Të kësaj lagjeje janë edhe disa shtëpi në Vushtrri, të cilat kanë migruar herët, fill pas betejës së fundit të Azem Galicës (1924) dhe mbajnë mbiemrin Galica.

5. Lahaj- lagje e madhe që sot është ndarë në:
a) Lahu- katër familje në Galicë e tetë në Vushtrri,
b) Hamiti- dy shtëpi në Galicë, gjashtë në Mitrovicë dhe dy në Vushtrri,
c) Shabani- katër shtëpi në Galicë, gjashtë në Mitrovicë dhe tri në Vushtrri,
d) Hyseni- pesë shtëpi në Mitrovicë e katër në Prishtinë.

6. Zekaj- lagje e madhe që sot është ndarë në:
a) Zena- katër shtëpi në Galicë e dy në Mitrovicë,
b) Zeqiri- dy shtëpi në Galicë e dy në Mitrovicë,
c) Ademi- tri shtëpi në Galicë e dy në Vushtrri,
d) Azemi- katër familje që kanë dalë në Mikushnicë,
e) Fazliu – disa familje që poashtu një kohë kanë jetuar në Mikushnicë, por sot jetojnë në Mitrovicë e në Vushtrri,
f) Sejdiu e Sadriu- familje që deri vonë jetuan në Mikushnicë e sot janë në Skënderaj, në Mitrovicë dhe në Vushtrri.

7. Mehmetaj- lagje që ende e mban atë mbiemër: një shtëpi në Galicë, gjashtë në Vushtrri dhe dy në Mitrovicë .

Galica është histori në vete. Sakica e Prekazit e Pushka e Galicës janë të vizatuara në derë të mbretit,- thoshte mulla Brahimi i Polacit. Në fakt, siç dëshmon Mehmet Rukiqi, këtë mendim e kishte thënë Osman Kryshevci në vitin 1954. Dhe, kishte të drejtë. Vërtet pushka e Galicës nuk pushoi që nga koha e Perandorisë pushtuese otomane. Më 1908 është vrarë Bejtë Galica, në betejën e njohur kundër Shemsi Pashës, që u zhvillua në afërsi të Deviçit. Gjatë vitit 1917 shumë djem shqiptarë vajtën xhynli dhe humbën e u tretën në dhera të huaja. Pra, nga Galica, që atëbotë nuk kishte më tepër së njëzet shtëpi, shkuan për të luftuar për të tjerët njëmbëdhjetë veta, prej të cilëve arritën të kthehen vetëm dy (Tahir Shabani e Hajdar Salihu), kurse diku në Karpate mbetën:

1. Fazli Zena,
2. Islam Fetahu,
3. Ramë Sajdia,
4. Qerim Haziri,
5. Mursel Rexha,
6. Dush Rexhepi,
7. Ramadan Lahu,
8. Bellë Ferizi dhe
9. Mujë Aliu.

Kurse, që nga viti 1912 e deri më 1924, gjegjësisht 1926, Azem Galica me Nusen e Maleve- Shotë Galicën udhëhoqën çetat çlirimtare në luftërat dhe betejat kundër pushtuesve të ndryshëm: kundër serbëve, kundër austrohungarezëve, kundër bullgarëve dhe sërish kundër serbëve.
Më 15 korrik 1924, me qëllim të shtypjes së rezistencës disavjeçare, ushtria serbe filloi sulmin kundër Arbërisë së Vogël, e cila, që nga fundi i vitit 1923, përfshinte vetëm fshatrat: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë.

Beteja qe e përgjakshme. Ushtria dhe xhandarmëria serbe pësuan humbje të mëdha. Nga luftëtarët e lirisë u vranë pak, por, në shenjë hakmarrjeje u dogjën të tri fshatrat dhe u masakruan mbi 80 veta, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Vetëm në Galicë u vranë 34 veta. Edhe kryetrimi mori plagë vdektare dhe, më 25 korrik 1924, vajti në përjetësi. Bashkëluftëtarët dhe Shota besnike ia plotësuan dëshirën e tij të fundit, e lëshuan në shpellën e thellë 74 metra në malet e Përçevës të njohur si Çuku që kërcet. Aty qëndroi deri më 1971, kur atdhetari sypatrembur, mësuesi Abdyl Krasniqi nga Drenoci i Vlashit, e nxori dhe e solli në Galicën e tij të dashur. Shota me Plakun e Çetës, Bekë Hysenin e Galicës dhe me ca jetimë kaluan në Shqipëri, për të vazhduar edhe më rezistencën e armatosur, derisa vdiq në mjerim, në Fushë-Krujë, më 4 korrik 1926.
Galicasit edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhanë ndihmesë për çlirimin e vendit. Ata luftuan në Jeni Pazar, në Kolashin, në Artakoll dhe paskëtaj kudo me Brigadën e Shaban Palluzhës. Ata përjetuan edhe masakrën e Tivarit dhe marshimin për në Vërshac e Banat. Edhe pas mbarimit të luftës, shumë trima ngelen maleve, duke vazhduar edhe më tutje të mos pajtoheshin me pushtetin e ri, të veshur me lëkurë qengji e që vepronte të shqyente me dhëmbë ujku.
Vlen të theksohet se as Reforma agrare nuk pati sukses në Galicë. Kështu, gjatë gjithë historisë së kësaj mortaje të zezë, në Galicë u vendosën vetëm gjashtë kolonistë: katër nga Mali i Zi (Vuçetiq Spasoje, Raduleviq Ilija, Baniqeviq Bajo, Jabllanoviq Milujko), një nga Hercegovina (Lekiq Jovani) dhe Kitanoviq Stanko nga Serbia.
As në luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së, galicasit nuk qëndrun durkryq. Më 5 prill 1998, djemtë e Galicës, para Obeliskut dhe varrit të Azem Bejtë Galicës dhanë betimin dhe formuan celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare, të cilat vepronin në kuadër të Brigadës 114 “Azem Galica”, gjegjësisht “Fehmi Lladrovci”. Në korrik të atij viti, më 18 korrik 1998, në kufirin ndarës shqiptaro- shqiptar, të Rrasa e Zogut, në Padesh, ra edhe dëshmori i parë galicas i UÇK-së, djaloshi sypatrembur, Adem Ramadan Ademi. Ndërkaq, më 2 maj 1999, në Studime të Vushtrrisë ra dëshmori tjetër galicas, profesori Bahri Rexhep Haxha.
Gjatë kësaj lufte, Galica pësoi shumë. Më 17 mars 1999 e tëra u rrafshua me tokë. Ishte kjo djegia e shtatë e saj gjatë historisë njëqindvjeçare. Mu për këtë edhe nuk arriti të shtohet shumë popullata e saj dhe thuajse kurrë burrat e saj nuk arritën të mplaken e të vdesin me kokë në jastëk. Popullata u dëbua dhe u degdis gjithandej trojeve shqiptare e në mërgatë, mbetën vetëm burrat dhe luftëtarët e lirisë, të cilët për asnjë çast nuk u larguan nga shkrepat e Arbërisë. Përveç tjerash, Galica pati 6 të plagosur (Fidaim Ademi, Halim Ademi, Brahim Haziri, Sami Zena, Mexhit Zena, Nexhmedin Tahiri…) e 4 të burgosur (Sejdi Lahu, Ismet Lahu, Mujë Shabani e Fazli Ademi, i cili nga torturat vdiq fill pas daljes daljes në liri) dhe lirisë ia fali edhe 18 veta (14 meshkuj e 4 femra):
1. Adem Ademi,
2. Bahri Haxha,
3. Shashivar Ademi,
4. Fatmir Ademi,
5. Gani Ademi,
6. Burim Ademi,
7. Bajram Sahiti,
8. Agim Ademi,
9. Hetem Halili,
10. Bujar Halili,
11. Bekim Halili,
12. Nazmi Halili,
13. Nexhat Halili,
14. Hajredin Lahu,
15. Hasime Shabani,
16. Mehreme Zena,
17. Zyhrie Zena dhe
18. Shehide Kamberi.

Megjithatë, Galica është ringjallur nga hiri i vet, si Feniksi dhe, përkundër vështirësive të shumta, sot gjallon në trojet e veta stërgjyshore.

NJË FËMIJËRI E ZAKONSHME

Dekën kush s’e dron, lirinë e fiton.
(Popullore)

Galica e viteve të fundit të shekullit XIX kishte fare pak shtëpi. Në afërsi të Kodrës së Vorreve tymonte edhe oxhaku i Rexhep Haxhës. Ky burrë i fjalës dhe i besës ishte martuar me Qamilen nga Kutllofci dhe kishin tre fëmijë; dy djem: Veselin e Bajramin dhe një vajzë: Mihanen. Mixha Rexhep, siç e thërrisnin zakonisht galicasit, ishte edhe mentar i madh. Fjala e tij petake peshonte në çdo kuvend burrash. Edhe sot e kësaj dite përmenden fjalët e tij, kur i qetësonte burrat e Galicës dhe të Selacit që, herë-herë, ngatërroheshin dhe nxeheshin rreth trimërisë së Azem Galicës. “O burra, hiç mos u lodhni, Azemi ka ga në të dy anët, sepse në të dy anët është mirë, galicasit trima, dajat trima”.
Ky plak i mirë e i urtë nderohej dhe respektohej nga të gjithë. Edhe vetë vepronte njësoj, të gjithë i nderonte dhe i donte. Me të gjithë shkonte mirë, ama Bejtë Galicëne kishte për zemër. Jo pse e kishte edhe baxhanak, por me të disi i shkonte më mirë muhabeti, siç i thonë një fjale dhe, paskëtaj, edhe djemtë e tyre, Azemi e Veseli, ishin të pandarë dhe kalonin mirë mes veti.
Djali i madh, Veseli, i kishte ngjarë kryekëput të atit. Kështu thoshin të gjithë ata që i njihnin mirë. I urtë, i sjellshëm, i shoqërueshëm, bujar, trim e mbi të gjitha i mençur. Ai lindi në vjeshtën e vonë të vitit 1894. E ëma, Qamilja, një malësore e motit, gjithë ditën kishte korrur misër te Lugu i Behramit dhe në mbrëmje, një zë çilimiu kishte trazuar Kërshin e Zallinave dhe Kodrën e Lepurit. Lehona me ferishtën mbështjell në zavjaçin e kuq, kishte zbritur tatëpjetës e pak më vonë, tri krisma pushke lajmëronin një gëzim, lajmëronin lindjen e një arme të re çlirimtare.
Djaloshi me emrin Vesel rritej e rritej si molla në degë, sa plakat kurrizdala e flokëthinjura uronin që të shpëtonte nga syri i keq!. Fëmijëria e tij nuk ndryshonte nga ajo e moshatarëve të tjerë galicas. Shtati i tij i njomë kalitej nëpër shkrepat e thepisur e të larë me gjak lirie. Kuvendimet nëpër oda burrash i bënin përshtypje të jashtëzakonshme. Ato shoqëroheshin edhe me këngë trimërie dhe të riut kureshtar i ngjallnin ndjenja të veçanta atdhetarie.
Të gjitha këto reflektoheshin edhe në jetën idilike të barinjve. Ky, zakonisht, shoqërohej me Azemin e Bejtës. Në të vërtetë, pas tij shkonin të gjithë çobanët, se, siç tregon më vonë Veseli, Azemi, që nga fëmijëria jepte shenja se do të bëhej trim e atdhetar i pashoq. Azemi ishte një fëmijë i veçantë. I zhdërvjelltë e mendjehollë. Me të shoqëroheshin përditë. Edhe pse nuk ishte aq i zhvilluar prej shtati, ishte imëtak, dallohej ndër moshatarët me forcën trupore e fizike. Në të gjitha lojërat: në pidpidak, në gurapesh, në mundje e në gjuajtje shenjë ishte i pari. Ai, para se gjithash, dallohej për drejtësi dhe për trimëri. Nëse ndonjë çoban e sulmonte tjetrin, vetëm pse ishte më i lig, Azemi ndërmjetësonte dhe gjithmonë i ndihmonte të drejtit. Çdo ditë na shpjegonte për padrejtësitë që na vinin nga të huajt. Na trimëronte dhe na udhëzonte për rezistencë të vazhdueshme që duhej bërë kundër armiqve të trojeve tona stërgjyshore. Armiku duhet luftuar me çdo kusht dhe në të gjitha mënyrat. E mbaj mend kur na thoshte se populli shqiptar është më i vjetri në këto anë dhe kurrë nuk ka mundur me i durue zullumet e padrejtësitë e të huajve…
Në të vërtetë, Veseli, ky djalosh mendjezgjuar, pati një privilegjë nga moshatarët e tij. Ai edhe u shkollua. Në Mitrovicë, në gjuhën arabe, e kreu shkollën e mesme fetare dhe u bë hoxhë. U bë hoxhë atdhetar dhe tërë dijën e vuri në shërbim të atdheut…
Fatbardhësisht, edhe në jetën private i eci mirë e mbarë. Në verën e vitit 1918 martohet me Hamide Bunjakun e Krasmirofcit. Këtyre dy bashkëshortëve u lindën këta fëmijë: gjashtë vajza; Azizja, Hafizja, Ajshja, Besa, Abidja, Shefkija dhe dy djem: Haxhiu e Ganiu.
Më 1927 u martua për së dyti me Halime Ramadanin nga Resniku, me të cilën pati edhe dy djem: Tahirin dhe Rexhepin.

Me armë në dorë në luftërat për liri

Shqiponja fluturon në qiell, po folenë e bën në tokë.
(Popullore)

Vendlindja e Vesel Haxhës me kohë ishte bërë vatër e rezistencës kundër pushtuesve të ndryshëm. Galica qe shndërruar në një kështjellë të pamposhtur dhe u bënte karshillëk perandorive që shkelnin shtete e popuj. Tashmë, Azem Galica me Nusen e Maleve- Shote Galicën, kishin formuar Çetën e tyre kreshnike, e cila shpejt arrin të bëhet Nëna e Çetave dhe kryesonte gjithë Lëvizjen Çlirimtare në Kosovë, e që në gjiun e vet kishte grumbulluar rreth dhjetë mijë luftëtarë.
Edhe Veseli, që nga fillimi i vitit 1818, kishte rrokur armët dhe ishte radhitur në çetat çlirimtare…
Më 4 korrik 1918 kalojnë në Siçevë, por shpejt hetohen nga xhandarmëria e Rahovecit dhe natën rrethohen. Aty vritën nëntë xhandarë e nga tanët plagoset Mursel Ahmeti i Prekazit. Në mëngjes armiqve u erdhi në ndihmë edhe ushtria më dy topa fushor. Për fat, edhe këtyre u shkojnë në ndihmë dhe u vijnë kuajt e ngarkuar me bukë nga Krajkova. Në mbrëmjen e dytë kalojnë në Abri të Epërm. Konakun e bëjnë në kullat e Xhemail Abrisë. Aty u erdhi një lajm i rrem se kinse ushtria serbe është tërhequr nga Deviçi. Kur u nisen andej, me ta shkojë edhe djali i vetëm i Hamzë Zhabotës, Syla, dhe kur ranë në pritë, predha e parë e topit e qëlloi atë dhe e la të vdekur. Paskëtaj betejat do të bëhen përditshmëri e tyre…

“Unë e kisha vadën e martesës,- shkruan në kujtimet e lëna Vesel Galica,- dhe mendoja se si të kthehem në shtëpi. Ato ditë, në Belicë, ishin vrarë dy shqiptarë pabesisht dhe Azemi përgatitej tua merrte hakun. Duhej të shkoja në odën e Hajdin Rracit dhe ta pyesja Azemin, por më vinte keq. Ilaz Galica foli për mua:
– Veseli duhet me shkue në shtëpi se iu ka afrua dita e martesës!
Azemi na shikoi dhe tha:
– Ti Ilaz mos shko a Veseli le të shkojë me Mursel Ahmetin dhe me disa shokë që duhet kaluar në ato anë.
Murseli nuk pranoi të vinte me ne, se po bëheshim shumë. U ktheva me Brahim Galicën, Halil Galicën, Mehmet Vushtrrinë, Xhemë Sllatinën, Fazli Demën e Prekazit dhe Hut Bojkun e Dërvarit. Pas dy-tri ditësh e kishin rrethuar Belicën dhe i kishin vrarë nëntë xhandarë zullumçarë…”
Betejën e parë të mirëfilltë e përjetoi në Radishevë, Ditën e Shëngjergjit, më 6 maj 1919. Me të vërtetë ajo qe Kryengritja e Përgjithsme, ku morën pjesë rreth dhjetë mijë luftëtarë dhe përfshiu mbarë Drenicën e Llapushën. Këtë më së miri, me pak vargje, e pasqyron këngëtari popullor, kur thotë:
N’Radishevë lufta ka fillue,
N’Radishevë lufta ka nis,
N’Rahovec e paskan bitis…

Siç dihet, herë-herë, luftëtarët e lirisë kalonin edhe matanë kufirit të mallkuar ndarës. Ata zakonisht vendoseshin nëpër Malësi dhe në Shkodër. Atyre ditëve, të vitit 1920, edhe Azem Galica me Shotën dhe me një grup trimash kishin dalë andej. Azem Galica ishte edhe anëtar i Komitetit Mbrojtja e Kosovës dhe ishte caktuar Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Çlirimtare. Atje takohej me krerët e Komitetit, me Hoxhë Kadriun, me Hasan Prishtinën*, me Bajram Currin etj.

Vesel Haxha- Galica, edhe pas martesës nuk i lëshoi armët nga dora. Një betejë të ashpër e zhvilluan në Taraxhë, në nëntor të vitit 1920, ku mbeti i vrarë udhëheqësi i njohur, Azem Gjakja. Armiku pësoi humbje të mëdha. Për herë të parë, mbi malin Qyqavicë, u përdor edhe aeroplani luftarak nga eskadrila 32 e Shkupit, të cilin e drejtoi togeri Burmazoviqi. Në shenjë hakmarrjeje barabaria serbe shfreu mbi fshatrat përreth. Ajo Yrrëfie, siç e quajti populli, përlau Kollën, Shallcin, Dërvarin, Mihaliqin, Beçukun, Strofcin, Bivolakun, Zhilivodën, Shipitullën etj. I arrestojnë mbi 70 veta. Hoxhë Mjekiqi e luti komandantin t’ia liroi dy miq. Po, i tha ai, nëse i hanë dy okë sanë. I ha nëse ma jep besën që i liron. Hoxha e merr sanën e djeg dhe hirin e përzien me sheqer dhe e kapërdin. Oficeri e mbajti fjalën dhe ia liron miqtë. Të tjerët, shtatëdhjetë e tetë veta, i dërgojnë ndërmjet Krasmirofcit dhe Gradicës, në vendin e quajtur Llazi Jazbinave dhe të gjithë i pushkatojnë. Vetëm nga Zhilivoda ishin 14 veta, në mesin e tyre edhe Zylfija, që deri atë ditë të gjithë e kishin ditur për mashkull, me emrin Sylë.
Në këto operacione, pos xhandarmërisë dhe ushtrisë së rregullt, u përfshinë edhe vullnetarët e mobilizuar nën udhëheqjen e çetnikëve dhe gjakpirësve të pashpirt siç ishin: Kostë Peçanci, Miliq Kërstiqi, Spiro Dellovci, Arsen Qyrku, Gal Tërziqi, etj., të cilët bënin kërdi në popullsinë e pafajshme e të pambrojtur. Këto çeta kriminelësh ishin më të rrezikshmet. Një deputet serb në parlament i kishte definuar kështu: “Nuk është oficer, nuk është kapter, nuk është organ policor e është i armatosur deri në dhëmbë, ka 100 njerëz të vet, rrahë, plaçkit, pren e nuk i përgjigjet askujt, nuk e merr askush në përgjegjësi, e çfarë titulli t’i japim?.
Mirëpo, edhe atyre nuk u shkoi gjithmonë kungulli mbi ujë. Kështu vojvodë Miliç Kërstiqin e hoqi qafesh, një ditë qershori të vitit 1938, në vendin e quajtur Llugë, në breg të lumit Istog, rapsodi i njohur, Selman Kadria i Cercës së Istogut (1906- 1938). “Selman Kadria, së bashku me dy shokët e tij, Brahim Ukë Kabashin nga Gurrakoci dhe Ali Kabashin nga Tomoci, që të tre rapsoadë odash e njëkohësisht shokë, lidhin besën për t’i vrarë tre gjakpirësit më të njohur të rrethit të Istogut. Selman Kadria merr përsipër për të vrarë Vojvodë Miliç Kërstiqin, Brahim Kabashi, Ars Peroviqin, ndërsa Ali Kabashi merr përsipër për të vrarë Maliq Malishiqin”.

PJESËMARRËS NË BETEJËN E GALICËS (1924)

Trimëria e ushtarëve varet nga mençuria e prijësit.

(Publi Sir)

Vitet kalonin si për vesh gjilpëre e Trojet Etnike Shqiptare lëngonin e vuanin nën peshën e rëndë të robërisë. Armët e lirisë nuk pushonin së gogësuari. Çdo ditë luftëra e beteja, heroizëm e sakrificë, qendresë e mbijetesë…
Mbretëria SKS, duke mos ia dalë mbanë më forcë, iu kthye zakonit të të parëve të vet, dredhisë, mashtrimit, dinakërisë, pabesisë. Me anë bisedimesh arriti marrëveshje edhe me kryekomandantin Azem Bejtë Galica. Formimi i Zonës së Lirë në Drenicë, me emrin Arbëria e Vogël, me qendër në Galicë, mjekërbardhit Pashiq i shërbeu si blerje kohe për përgatitje më të mirë për mësyrje të re e më të fuqishme. Kjo “besë” do të thyhet shumë shpejt.
Ditën e Bajramit të Madh Azemin e paralajmërojnë së nuk ishte puna mirë, andaj nuk duhej shkuar në xhaminë e Polacit. Megjithatë tre shokë të tij: Shak Radisheva, Ramadan Dërvari dhe Isë Kushutani i Qubrelit vendosin të shkojnë për ta falur bajramin. Sakaq, rrugës, nga një kullë e xanëve kërcasin pushkët dhe vritën Shaku (me rrobat e Azemit) e Ramadani. Atë ditë nuk u fal fare bajrami…
Sipas shënimeve të Vesel Galicës, atë natë Azem Galica qe mërzitur shumë. Në kullën e vet i kishte ftuar luftëtarët e të tri katundeve: Galicë, Lubovec e Mikushnicë dhe u kishte thënë:” Shokë e vëllazën, vëllazënit tanë na u vranë. Besa që e kemi pasë lidhë, u prish. E kam ditë se qeshtu bahet. E tani çka po bajmë?! A po dalim në Shqipni, a po rrijmë ku jemi?

Azemi pushoi pakëz dhe priste fjalët e mendimet e shokëve. I pari foli Halit Bajrami dhe e dha mendimin se duhet qëndruar këtu. Me të u pajtuan edhe të tjerët dhe u vendos që të qëndrojmë në trojet tona.
Vesel Galica tri javë para së të rrethohej Arbëria e Vogël, dy herë kishte kontaktuar me Shaqë Abrashin- Gjakovën, një rrobaqepës i njohur në Mitrovicë, i cili mbante lidhje edhe me pushtetin edhe me luftëtarët. Ai i kishte dërguar fjalë Azem Galicës që sa më shpejt të largohej nga Galica, sepse po bëheshin përgatitje të mëdha për rrethimin e tij. Edhe Veli Ashlani ia kishte sjellë të njëjtin lajm. Madje edhe vetë komandir Stanku, i stacionit në Prelloc, tërthorazi e kishte paralajmëruar, duke ia përmendur do ushtrime ushtarake, por kot. Kapedani sypatrembur kishte ndarë mendje të qëndronte në Kullën e Qëndresës, në Kullën heroike, të cilën ia patë ngritur populli vullnetarisht për tri javë ditë.

Dhe, më 15 korik 1924, ngjau hataja. Ende pa zbardhur drita krisën pushkët e para. Forca të mëdha ushtarake e xhandarmërie; mbi 1200 veta, me 7 topa të mëdhenj e me armatim të llojllojshëm, kishin rrethuar Arbërinë e Vogël. Plumbat e parë u zbrazën në drejtim te Hasan Lahut, i cili kishte fjetur në lëmë, duke e ruajtur grumbullin e elbit të fshirë. Sakaq lufta u ndez shpër…
Me të krisur pushkët, Veseli rrok armët dhe, bashkë me Zymerin, sulet arave me misër. Babën Rexhep dhe mixhën Hazir i lë me familje. Aty ishin takuar në dy ushtarë serbë dhe flakë për flakë i kishin ndërruar plumbat. Njëri prej tyre ra i pashpirt e tjetri mori ikën. Edhe Zymeri u plagos dhe nuk mundi ta marrë pushkën e ushtarit serb e as nuk mundi të vazhdojë tutje. Ky kishte ngel i vetmuar. Për fat, atë vit vera qe mjaft e bereqetshme. Misri, fasulja dhe kungujt ishin bërë rrush dhe paraqisnin pengesë të madhe për zuzarët e pashpirt. Britma e grave, fëmijëve dhe pleqëve të pushkatuar te Ftojtë e Tahirit, mu në qënder te Galicës, i lanë vrragë të thellë në shpirt. Ashtu, ngadalë, iu kishte afruar kullës së komandantit. Një oficër serb, me rroba të bardha e çizme të zeza, komandonte me kamxhik në dorë. Oborri i kullës qe mbushur përplot ushtarë. Azem Galica kishte fluturuar drejt malit Gamna. Pas pak, aty i sollën edhe disa të zënë robër. E kishte dalluar dhe njohur Sadri Mikushnicën, i cili ia kap pushkën një ushtari, por të tjerët i vërsulën dhe e mbysin me thika..

Komandanti kriminel serb, i hidhëruar në kulm, që nuk arritën ta kapnin Azem Galicën, dha urdhër për të hyrë nëpër katund e për të bërë çdo gjë rrafsh me tokë.
Pas pak edhe Veseli kishte marrë andej nga shkonin të gjithë, drejt Qyqavicës. Para se të kalonte të Baltaku has edhe në një grup xhandarësh, të cilët ia dhanë një breshëri plumbash, por asnjë nuk e kapi. Me të hyrë në mal takon trupin e pajetë te Qerimit, djalit të Shaban Tahirit. Në të dalë prej Mikushnicës has në ushtarë të tjerë, të cilët, për fat të mirë, nga frika e paniku ishin ngatërruar me shokët e vet, që ishin shpërndarë nëpër mal e që gati u vranë mes veti. Aty kishte qëndruar deri kah mbrëmja, kur kishte dëgjuar burizanin serb që thërriste për tërheqje.

Dikur, kur nuk dëgjohej asgjë, doli nga mali dhe u nis drejt Galicës, e cila po digjej flakë. Rruga kryesore ishte zënë nga gjerdhet e djegura. Në qendër të katundit takon Zymerin, Brahimin dhe babanë, Rexhepin. Atypari ishte edhe halla Hamide e plagosur rëndë, gjylja e topit ia kishte këputur këmbën. E kishin shtrirë dhe e kishin mbuluar me jorgan. Djalë Sherifin ia kishin vrarë para syve, madje kjo, duke u munduar ta shpëtoi atë, ishte plagosur vetë. Për djalin tjetër, Mehmetin, nuk dinte gjë.
– O Vesel, bre loke, a di gja për djemtë e mi?- iu ishte gjegjur ky.
– Po, Sherifin e kanë vra e Mehmetin e kanë marrë në burg,- ia kthei ky, ashtu siç e patën mësuar pleqtë më parë.
Pastaj, i ati, Rexhepi, i tregoi se në Galicë gati askush nuk kishte shpëtuar i gjallë. Rreth dyzet kufoma i kishin grumbulluar te kulla e kryetrimit dhe njëfarë si komision qeveritar a shtetëror po pritej t’i regjistronte si kaçakë dhe bashkëluftëtarë të Azem Bejtë Galicës. Hallën Hamide e dërguan në qiler të Velisë dhe pak më vonë kishte ndërruar jetë. Kishte shkuar edhe andej nga kulla dhe i kishte parë shumicën e të vrarëve, të cilët më vonë, burrat e fshatrave përreth, shumica nga Prekazi, i varrosin në katër varre të përbashkëta…

Te Kroni i Hajdukut ishte takuar me Azem Galicën, i cili qëndronte i shtrirë në një si vig, të bërë prej thuprash lajthie. Dy jargana i kishte shtruar e me një ishte mbuluar. Në prehër e kishte këmishën e gjakosur e të shpuar në dy vende. Dy vrima të mëdha, njëra sa hyn plisi. Varrën e parë në gjoks, nuk e ndjente fort, sepse i shtjenin fitila prej arrnave të fërguar me dyll. Varra tjetër në midis ishte sa hyn grushti dhe e padurueshme. Pranë kokës së tij qëndronte heroina Shotë. Aty ishin edhe dy gratë e tjera, Zoja (shtatëzënë) e Hata, ishin shokët e plagosur, ishin edhe shumë gra, pleq e fëmijë të ikur e të lëmeritur nga flaka e luftës .. .
“Azemi, kur del në Qafë të Mikushnicës, plagoset për të dytën herë. E merr plumbi në cicë të djathtë e ia qet mbas krahu. E harroi veten trimi, kur e pa të vrarë luftëtarin më të mirë, Bajram Tërnafcin. Ky djalë hasreti iu dhimbs aq shumë saqë, kur e pyeti dikush kah po ia mbajmë Azem, ai ia ktheu: Po shkojmë andej ku ka më së shumti armiq që të vrasim sa më shumë!

“Hajde Vesel,- më tha dikur Azemi, kujton ky më vonë, – dhe tregom rend e rend, kush u vra e kush u pështue!
– Nisa po i kallëxoi fije e për pe e emër për emër. Goja më merrej dhe mezi flisja nga ajo barbari. Kur shkova në gjysmë, ia plasi vajit dhe lëshoi një ofshamë që të gjithëve na preku në zemër:“Ah, mjeri unë i mjeri, vëllaznit e mi! Për herë të parë, në gjithë jetën e tij, ia pamë lotin në faqe. Mirëpo, pas pak, e mori veten dhe qeshi me zë, që na çuditi të gjithëve dhe na dha gajret: “Hiç mos keni dert se edhe unë kam vrarë mjaft serbë dhe ua kam marrë hakun të gjithëve!”

Atë natë, pasi e mori veten, mua më dërgoi në Krasmirofc me e lyp një kërrabëz për me ia nxjerr paqetën me fyshekë që i kish mbetur në trup. Mirëpo, nuk mujti me i durue dhimbjet. “Lëne se kur të dalim në Shqipni, atje gjajë ndonjë mjek e ndoshta më shërojnë”.
Pas shtatë ditësh, bëhen rreth tridhjetë luftëtarë të shëndoshë, arrinë edhe Mehmet Konjuhi*, të cilin e çmonte si trim mbi trima, dhe nisën për në Shqipëri. Arrijnë deri në Gjurgjevik të Madh, në kullën e Sadik Ramës.

Atë dhe luftërat e tij i bëri të pavdekshëm këngëtari e lahutari i njohur Dervish Goxhuli.

Pra, siç po shihet, vlerësimet dhe komentimet ishin të ndryshme. Manipulime të shumta bëheshin sidomos me numrin e të vrarëve. Organet serbe nga Mitrovica dërgonin shifra alarmuese. Në to thuhej se atë ditë në Galicë dhe në dy fshatrat e tjera, u vranë 190 kaçakë. Ndaj tyre reagoi Ferat Draga, duke shkruar se atë ditë u vranë 19 kaçakë, ndërsa të tjerët civilë të pambrojtur.

Të interesuar që të mësojmë të vërtetën, dolëm në terren dhe nga biseda me dëshmitarët e gjallë nxorëm këto përfundime: Më 15 korrik 1924 në territorin e Arbërisë së Vogël u dogjën 100 shtëpi, u plagosën rëndë 28 , ndërsa u vranë 82 veta. I përafërt me këtë është edhe lajmi i atyre ditëve, botuar në gazetën “Hak”.

Pra, epilogu i të vrarëve dhe të plagosurëve të asaj dite është si më poshtë:

Në Galicë: të vrarët:

1. Bahtir Beka,
2. Hasan Lahu,
3. Ismail Lahu,
4. Mursel Ferizi,
5. Sylë Sahiti,
6. Selman Ademi,
7. Sadri Ahmeti,
8. Sinan Ahmeti,
9. Ferat Hyseni,
10. Sherif Rrahmani,
11. Mehmet Rrahmani,
12. Hamide Rrahmani,
13. Osman Mehmeti,
14. Hajdin Osmani,
15. Rrustem Behrami,
16. Jashar Behrami,
17. Veli Halili,
18. Avdi Halili,
19. Shaban Tahiri,
20. Qerim Shabani,
21. Kamer Xhema,
22. Sylë Idrizi,
23. Hazir Fetahu,
24. Sinan Ujkani,
25. Nezir Beqiri,
26. Zahide Beqiri,
27. Beqir Beqiri,
28. Hys Popova- Popovë,
29. Bajram Delia- Tërnavc,
30. Sinan Açareva-mysafir,
31. Isa Shabani- Rashan,
32. Abaz Bajrami- rom,
33. Shak Basjrami- rom,
34. Ibrahim Bajrami- rom dhe
35. Man Bajrami- rom.

Të plagosurit:

1. Rexhep Dauti,
2. Xhemail Lahu,
3. Ahmet Hajra,
4. Abdulla Zena,
5. Hamzë Zena,
6. Hashim Bahtiri,
7. Halit Syla,
8. Rushit Syla,
9. Riza Valia,
10. Murat Velia,
11. Zymber Salihu,
12. Rrustem Hamza- Hodiqi nga Klina,
13. Brahim Ferizi dhe
14. Hajrush Ahmeti.

Në Lubovec: të vrarët:

1. Halit Bajrami,
2. Murat Bajrami,
3. Asllan Bajrami,
4. Bajrush Bajrami,
5. Salih Xhemaili,
6. Sadik Rama,
7. Qerim Shashi,
8. Zyhër Miftari,
9. Behram Delia,
10. Cek Ismaili,
11. Xheladin Veliu,
12. Tafil Jetullahu,
13. Zenun Sherifi,
14. Maksut Islami,
15. Tahir Islami,
16. Islam Neziri,
17. Demë Beqiri,
18. Zeqë Beqiri,
19. Idriz Isufi,
20. Shaban Ademi,
21. Kurt Osma ni,
22. Mustafë Abazi,
23. Selman Beqiri,
24. Bajram Koshtova- mysafir.

Të plagosurit:

1. Bahtir Osmani,
2. Istref Kadriu,
3. Emin Hasani dhe
4. Avdulla Kadriu.

Në Mikushnicë: të vrarët:

1. Ismail Manxholli,
2. Ahmet Manxholli,
3. Mehmet Manxholli,
4. Jashar Behrami,
5. Ali Behrami,
6. Halil Behrami,
7. Sadik Behrami,
8. Hafie Avdiu (5 vjeçare),
9. Bahtie Avdiu,
10. Rexhep Hyseni,
11. Cenë Muharremi,
12. Sadik Salihu.
13. Ujkan Mehmeti,
14. Mehmet Alia,
15. Munish Ademi,
16. Bajram Sahiti- nip nga Baica,
17. Ajete Sadriu,
18. Hasime Musliu,
19. Bajram Barja,
20. Hajzer Barja,
21. Sadik Rrahmani,
22. Sadri Zeneli,
23. Salih Fazliu.

Të plagosurit:

1. Bajrma Avdiu,
2. Milazim Sejdiu,
3. Shaqir Oamani,
4. Ukë Ramadani,
5. Hanife Avdiu,
6. Shesivar Ademi,
7. Ahmet Salihu dhe
8. Istref Avdiu.

Sërish me armë në dorë

Guximi i madh zëvendëson dijen e madhe.
(Grasian)

Gjatë viteve 1941- ‘44, përreth Kosovës vepronin banda të shumta çetnikësh. Në afërsi të Mitrovicës vepronte divizioni Çetnik i Ibrit, nën komanden e Zhika Markoviqit. Më 15 nëntor 1941 ata provuan për të depërtuar edhe në trojet shqiptare. Mirëpo populli ynë, me kohë kishte formuar grupe të mëdha luftëtarësh vullnetarë dhe iu kundërvu së keqës. Ata, të udhëhequr nga tribuni Shaban Palluzha, arritën t’i dëbojnë hordhitë e egra deri në Rashkë.
Në të vërtetë, tri ditë pasi Gjermania dhe Italia sulmuan Jugosllavinë monarkiste, pra më 9 prill 1941, Paria dhe intelektualët e njohur të Drenicës dhe të viseve të tjera shqiptare, duke parandjerë rrezikun që u kanosej nga këto banda shfrenuese, thirren Kuvendin e Palluzhës, i cili u mbajt në Kullën trikatëshe të Shaban Palluzhës. Në Kuvend morën pjesë 112 delegatë, të cilët morën vendime të rëndësishme. Aty u formua edhe Shtabi Luftarak, në krye të të cilit u emërua Shaban Palluzha e i cili kishte këtë përbërje:

1. Miftar Bajrakatari nga Llausha,
2. Azem Aruçi nga Makërmali,
3. Ferat Draga nga Mitrovica (në mungesë),
4. Sadik Lutani nga Turiqvci,
5. Halil Haxhia nga Tërnavci,
6. Zukë Xani nga Polaci,
7. Jetullah Rezalla nga Rezalla,
8. Isë Zymeri nga Prekazi,
9. Mulla Iliazi nga Vitaku,
10. Mulla Ibrahimi nga Polaci,
11. Sadik Zeneli nga Abria,
12. Bajram Dërguti nga Drenasi,
13. Rexhep Vojvoda nga Llausha,
14. Qazim Bajraktari nga Astrazubi,
15. Colë Bajraktari nga Burimi,
16. Hysen Bajraktari nga Plluzhina,
17. Ahmet Selaci nga Selaci,
18. Hazir Gjaka nga Ashlani,
19. Fejzullah Saraçi nga Bivolaku,
20. Feriz Boja nga Kërnina,
21. Shaban Gashi nga Mitrovica dhe
22. Bajram Zuka nga Likoshani.

Që punët të shkonin edhe më mirë, u formuan edhe Shtabet Regjionale. Kështu, Shtabi numër 5, për Galicë, Ashlan e Dubovc kishte këtë strukturë komanduese: Ahmat Galica, Hazir Gjaka, Sefer Dubovci, nën udhëheqjen e Rifat Galicës,
Fjalimi i Shaban Palluzhës në Duga- Pollanë, afër Pazarit të Ri, qe i zjarrtë dhe trimërues: “Vëllezër, jemi tubuar për të kryer një mision të shenjtë, për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga bishat e egra çetnike, që po bëjnë terror të rëndë mbi popullatën e pafajshme të sangjakut. Prandaj, nuk duhet kursyer as jeta, por duhet luftuar me nder si i ka hije një populli të vjetër që diti të luftojë sa herë u gjend në rrezik vetë dhe i pambrojturi. Pra, t’i mbrojmë fëmijët dhe gratë, në emër të njerëzizë”.

Edhe në këtë vazhdë Galica qe prijetare. Burrat e saj, ndër të parët, rrokën armët e lirisë dhe i dolën zot atdheut. Ata, nën udhëheqjen e Ahmat e Rifat Galicës, që në betejën e parë, kur u vajtën në ndihmë artakollasve për t’i zbrapsur çetnikët, treguan heroizëm të vërtetë. Të mos harrojmë se Artakollin e patën shpëtuar Mehmet Gradica* e Shaban Palluzha me trimat e Drenicës. Kur luftëtarët e Artakollit, të prirë nga Fejzullah Saraçi e Sadri Klinaku kërkuan ndihmë në Drenicë, të parët që shkuan atje ishin trimat e Njësitit ushtarak “SHQIPONJA”, nën komandën e Zukë Xanit dhe Rifat Galicës…

“Në kuadër të Njësitit ushtarak “SHQIPONJA”, i cili numëron 1.000 luftëtarë, tash për tash formohen 5 Njësi elite- batalione:
1. Batalioni I- komandant Halil Bajraktari nga Llausha,
2. Batalioni II- komandant Isa Zymberi nga Prekazi,
3. Batalioni III- komandant Zukë Xani nga Palaci,
4. Batalioni IV- komandant Rifat Galica nga Galica dhe
5. Batalioni V- komandant Istref Tema nga Dobrasheci.

Atë ditë, më 10 prill 1941, aq shumë kishin luftuar të dy vëllezërit galicas, saqë çetnikët ishin tmerruar dhe shumica ishin mbytur në Silnicë. Daja i tyre, trimi Mehmet Gradica, nuk ishte duruar pa u thënë në sy të të gjithëve niposhave të vet: U lumtë pushka, o Ahmat e Rifat Galica!
Me të hyrë gjermanët në Kosovë, shqiptarët u organizuan dhe filluan të vendosin administrimin e vet sundues. Kështu, edhe kjo punë së pari nisi në Drenicë, më 15 prill 1941, kur u sulmua stacioni i xhandarmërisë në Prellofc, të cilin e udhëhiqte Krsta Qollakoviqi. “Para se të fillojë sulmi Shtabi luftarak i Drenicës, i kryesuar nga Shaban Palluzha, kishte hartuar planin e detajizuar operativ të luftës me sa vijon:
a) njësitë ushtarake, nën komandën e Rifat Galicës, Sefer Shabanit dhe Ahmat Galicës, të rreshtohen në frontin në veri të stacionit të xhandarmërisë në Prellovc;
b) njësitë ushtarake, nën komandën e Zukë Xanit e Ajet Rexhepit të pozicionohen në krahun e djadhtë të forcave ushtarake të Rifat Galicës;
c) njësitet luftarake, nën komandën e Nurë Mehmetit, Ramadan Sejdisë, Rexhep Shabanit dhe Riza Krasaliqit, të rreshtohen përballë stacionit të xhandarmërisë dhe objekteve të tjera, ku forcat e armikut ishin fortifikuar dhe të sulmohen nga ky pozicion. Sulmi qe i suksesshëm, me ç’rast vritën njëzet e tre xhandarë serbë e disa kolonë të armatosur. Nga tanët u vra Dan Prellofci (Ramadan Sejdiu) dhe u plagos Ahmat Galica

Galicasit vazhduan edhe më tutje. Grupe-grupe vajtën edhe në luftërat e Kolashinit, Sangjakut, Pazarit të Ri e deri te Rashka. Një kohë të gjatë qëndruan në katundin Çifllak. Atje u dalluan si luftëtarë:
1. Ahmat Galica,
2. Rifat Galica,
3. Vesel Haxha-Galica,
4. Halit Syla,
5. Hasan Sinani,
6. Zenel Neziri,
7. Tahir Shabani,
8. Hajrullah Haziri,
9. Jahush Haxha,
10. Zenel Haxha,
11. Milazim Osmani,
12. Tafil Islami,
13. Vesel Ferizi,
14. Vesel Ujkani,
15. Sahit Syla,
16. Hashim Bahtiri,
17. Ukshin Halili,
18. Halil Alia,
19. Hajriz Syla,
20. Brahim Ferizi,
21. Murat Velia,
22. Hamzë Zena,
23. Ajet Kamberi etj.

Prej tyre, atje ra dëshmor Halit Syla.

Betejën më të përgjakshme, por edhe më të rëndësishmen galicasit e zhvilluan për ta marrë manastirin e Gjorgjevi Stubës. Ah, ç’luftë që ishte ajo! Askujt nuk ia merrte mendja të mësynte drejt asaj kodre të mallkuar, që mbrohej me kokë e me shpirt. Prej saj varej edhe fati i Pazarit të Ri, andaj ruhej e stërforcuar. Trimat e Galicës, me pak fishekë, por me zemërgraniti, e të udhëhequr nga strategu e trimi sypatrembur, Ahmat Galica, ia dolën mbanë.
– Rrofshi o trimat e Galicës se gjithmonë jeni kanë e keni me kanë!- u kishte thënë Shaban Palluzha, kur pranuan ta merrnin atë vijë të frontit.
Vërtet, ajo qe e vështirë. Para se të kalohej tek kodra, ku ishin pozicionuar barbarët, duhej kapërcyer nëpër një fushë, e cila lavrohej nga predhat e çetnikëve. Kur arriti Ahmati në kodër, në një istikam rrethuar me gurë, ende qëndronte një kryeçetnik, i cili në kondakun e pushkamitralozit e kishte gdhendur fjalinë: Jetën e jap e nuk dorëzohem! Ahmati iu hodh sipri dhe ia hoqi kokën (atë e solli në qytet dhe të gjithë u lemëritën), por edhe vetë mori një plagë. Vendësit qanin nga gëzimi dhe i përqafonin përmallshëm shpëtimtarët…
“Prej luftëtarëve të Drenicës heroizëm të madh kanë treguar Ahmat e Rifat Galica. Kurrë nuk harrohet momenti kur ndahej municioni. Rifat Galicës i thanë ty nuk të takon municion, atë duhet ta kërkosh përmes Bajraktarit të Shtuticës. Ai u nervozua dhe e mori pa i pyetur hiç, duke u thënë:”Unë nuk jam bajraktar, por jam nipi i Azem Galicës dhe askush nuk mund të ma shkel këmbën. Ashtu edhe ndodhi, ai me trimat e vet e mori manastirin e Gjorgjeve Stubën, pikën më të rëndësishme”.
Në të gjitha këto aksione të suksesshme, të cilat, po mos t’i pengonin forcat gjermane do të shkonin deri në Rashkë, mori pjesë dhe u dallua edhe luftëtari Vesel Haxha- Galica. Në fakt, udhëheqësitë e bandave çetnike, kur u ngushtuan nga sulmet e rrepta të vullnetarëve shqiptarë dhe nuk po mund ta mbanin Pazarin e Ri, i mashtruan gjermanët, duke u thënë se aty kishin depërtuar partizanët. Mirëpo, kjo zgjati fare pak, sepse shpejt u kuptua e vërteta.
“Qëndresa dhe lufta për mbrojtjen e Pazarit të Ri nën komandën e Aqif Blytës, e ndihmuar nga forcat vullnetare të Kosovës dhe repartet e Ushtrisë Shqiptare, zgjati rreth pesë javë dhe përfundoi me disfatën e forcave çetnike. Kështu Pazari Ri dhe pjesa më e madhe e Sangjakut mbeti në kuadrin e shtetit shqiptar”.
Heroizmi i Vesel Haxhës ishte i pashoq. Si këshilltar dhe strateg i zoti, shkëlqente nëpër kuvende e nëpër fushëbeteja…
Ishte vjeshta e vonë e vitit 1941. Betejat në kodrat e Tregut të Ri kundër çetnikëve të Drazha Mihajloviqit ishin ashpërsuar shumë. Armiqtë, ishin përforcuar aq shumë, saqë, shqiptarët, të cilët e mbanin shpirtin veç me kumbulla, hëpërhë, duhej lëkundur nga pozicionet. Të gjithë ishin larguar me kohë, përveç Ahmet Selacit dhe trimave të tij, që kishin ngelur të painformuar. Këtë e kishte hetuar Vesel Galica. Dhe, ai, si këmbëngulës që ishte, bashkë me galicasit e tij besnikë, kthehen prapa dhe, duke rrezikuar jetën, arrijnë të depërtojnë e t’i nxjerrin burrat shaljanë nga rrethi. Më vonë, Ahmet Selaci, edhe publikisht, disa herë i kishte falënderuar galicasit, veçan Vesel Galicën, për këtë akt heroizmi të pashoq.

Në Brigadën e Shaban Palluzhës

Ai që ndërton me djerës, mbron me gjak.
(Populli)

Në Kosovë Lufta e Dytë Botërore qe edhe më e komplikuar dhe më e ngatërruar. Këtu u bë mishmash i vërtetë, sa, siç i thonë një fjale, nuk e njihte qeni të zonë. Kur u përzunë nazifashistët, mbi trupin e saj të përgjakur u lëshuan si lukuni ujqërish grabitçarë brigada të shumta partizanoçetnike. Këtë hile e kuptuan shpejt edhe shqiptarët, të cilët u tubuan rreth tribunit Shaban Palluzha* dhe i dolën zot atdheut. Brigadës së tij iu bashkëngjitën të gjithë ata që e ndjenin veten shqiptarë…

Grupi i Galicës, i prirë nga Rifat Galica*, e ku bënte pjesë edhe Vesel Haxha, përherë u gjend në vijën e parë të frontit. Pas betejave të përgjakshme, të zhvilluar në Rezallë, në Likoc, në Makërmal, në Abri, në Polac e në Kryshec, ata u nisën drejt Llaushës. Kapërcimi i lumthit të fryrë ishte gati i pamundur, sepse cerberët kishin zënë kodrën matanë. Plumbat të kositnin. Veseli u turr i pari mbi vig dhe kaloi pa pengesa. Pas tij vrapuan edhe të tjerë, shumica nëpër ujë. Aty, të Klysyra, mori plagë të rëndë Hamzë Haziri i Galicës, i cili më vonë ndërroi jetë në Runik. Të Qarkajt e Rakinicës u zhvillua një luftë e rreptë, ku mbetën përplot çetnikë të vrarë e të plagosur…Kur arritën në Radishevë u dha komanda për t’u shpërndarë…

“Lufta më e madhe në mes Nacionalistëve shqiptarë në një anë dhe serbëve çetnikë e disa komunistëve shqiptarë në anën tjetër, të udhëhqur nga Bashkimi Sovjetik, si supërfuqi e dytë në botë, u zhvilla në Drenicë prej 20 janar deri më 21 shkurt 1945. Lufta e Drenicës ishte një mrekulli e rrallë në trojet shqiptare, luftëtarë vullnetarë pa uniformë, bile as vetë komandanti nuk pati as këpucë as çizme, por me tesha nga zhguni dhe me opinga lëkure të lopës”.

Si shumica e luftëtarëve edhe Vesel Haxha kishte ndarë mendje të qëndronte maleve dhe të mos dorëzohej. Me të ishte edhe Sahit Syla. Zakonisht rrinin matanë Bregut. Një ditë, befas, u gjenden të rrethuar në një copë të vogël mali afër Gurinës. Partizanoçetnikët i kishin vu në shenjestër, por këta ua grabisin. E qëllojnë mitralozgjiun dhe pasi ua hodhën një bombë arrijnë të tërhiqën e të futën thellë në malin me gurë brincakë përballë Gurrecit. Nga aty rezistojnë më lehtë dhe pasi vrasin disa prej tyre kalojnë në Ashlan e pastaj në Sordov. Kur bie terri nisën sërish për në Radishevë. Para shtëpisë së Xhemë Tërnafcit shohin rojën, por, për hir të familjarëve, nuk e qëllojnë. Asaj rruge kalojnë në Kërligatë ku bashkohen me shokë dhe qëndrojnë plot tri javë. Sërish shpërndahen. Një natë buajnë te Jetullah Kotorri e të nesërmen arrijnë në Galicë. Pasi qëndrojnë edhe disa ditë në male, bëhet amnistia e përgjithshme dhe bien në dorë..
Veselin një muaj e mbajnë në burgun e Skënderajt. Aty i bie tifoja dhe detyrohen ta lirojnë. Sëmundja e mallkuar e lodhi aq shumë sa u bë asht e lëkurë dhe erdhi në 35 kg.

As në ditët e lirisë së rreme ky atdhetar nuk u shpërblye nga fati. Atë përherë e përcollën zezona të reja… Pushteti sllavokomunist e pati halë në sy. Derisa u shpërngul në Sfaraçak të Vushtrrisë, më 1964, shërbeu imam në Galicë. Të njëjtën detyrë e kreu edhe në Svaraçak. Atje vdiq dhe u varros më 1974.
Të mos harrojmë se ky personalitet, pas veprimtarisë së tij luftarake, e pati edhe atë diturore e mjeshtërore. Ishte i hollë nga mendja dhe çka i shihte syri ia punonte dora. Ka qenë mjeshtër i përsosur i shpatave për vegje. Ato ia quan zërin aq larg, edhe përtej Drenicës, saqë u bë i njohur edhe me emrin tjetër: Vesel Shpata.

Mendjehollësia e tij hetohej edhe nëpër ndeja e kuvende burrash. Ajo shoqërohej edhe me guximin. Kështu, kur erdhën Brigadat shqiptare të Malë Sadikut në Galicë, u ndalen dhe pushuan të Kodra e Haxhisë. E ftuan popullin dhe e mbajtën një fjalim. Aty, pos tjerash u tha se tash e tutje nuk do të këtë problem, sepse jemi vëllaznue me serbët. Në të përfunduar Veseli e kërkoj fjalën dhe tha:
– Më vjen keq prej jush se ne e kemi provuar shkaun dhe sot e shtatëqindmijë vjet atë nuk mund ta bëjmë vëlla!
– Edhe mua më vjen keq qe ta dhashë fjalën se përndryshe do ta jipja plumbin në kokë!-ia kishte kthyer komandanti i zemëruar.
Ose, ta zëmë njëherë tjetër, kur njëfarë Smajl majori i Dukagjinit, në një tubim në Galicë, kishte folur e folur për vëllaznim-bashkimin, sa këtij i erdhi në fyt dhe i tha:
– Ka qenë një rrogtar, të cilin zotëria e përdorte për çdo punë. Ai i shkreti, kur nisej për punë, ia thoshte këngës në gjuhën e vet, por, kur afrohej tek dyert e zotërisë detyrohej ta mbyllte gojën dhe t’i harronte të gjitha.
– O mixhë, ti po kërkon sot me e martue djalin e nesër me të lind fëmijë!
– Jo mixho, jo, veç po ta jap besën e shqiptarit se sot e pesëdhjetë vjet reja nuk ka me pas fëmijë!!!
“Më 1964, unë e kundërshtova babanë që vendosi për ta lëshuar Galicën. Por, kot. Vendimi i tij qe i prerë dhe pati të drejtë. “Biro, njeriu duhet të shohë përtej kodrave, fëmijët duhet shkolluar, andaj duhet afuar sa më afër shkollës e sa më afër dijes. Kjo është arsyeja pse po e lëshojmë vendlindjen, të cilën nuk duhet harruar kurrë”. Kështu më tha ai atëbotë dhe kishte pasur të drejtë,- rikujton sot djali i tij, Rexhepi, i cili edhe vetë, besnikërisht e ruajti dhe ia përcolli amanetin. Pra, dashurinë e madhe të xha Veselit për shkollim dhe arsimim e ruajti si sytë e ballit edhe Rexhepi, djemtë e të cilët kanë arritur majat e shkencës dhe tekologjisë bashkëkohere.
Nga ky lis rrënjëthellë sot kanë bulëruar degë e sytha të shumtë. Ata, me armë ndihmuan luftën çlirimtare të UÇK-së, me gjak mbëltuan Lirinë dhe me dije po e kurorëzojnë mençurinë!!!

Bahri Haxha- intelektual dhe atdhetar i shquar

Më të mirën gjë që njohu e kuptoi njeriu në jetë është të mësuarit.
(Naum Veqilharxhi)

Gjatë luftës sonë të fundit çlirimtare, që e zhvilluan trimat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pati ngjarje dhe data, të cilat janë ngulitur thellë në kujtesën tonë historike. E tillë është edhe ajo e 2 majit 1999, ku u martirizua edhe intelektuali i shquar, organizatori dhe promotori i Lëvizjes studentore, edukatori sypatrembur, inxhinieri shembullor i informatikës dhe veprimtari sypatrembur i sektorit më të ndjeshëm të UÇK-së- Logjistikës, Bahri Rexhep Haxha (1972- 1999).

Trung i lashtë trimërie

Në Manzën e Poshtme të Vushtrrisë (ish Sfaraçaku i Poshtëm), jeton edhe familja Haxha, e cila vjen nga Galica heroike, emri i së cilës ia kishte futur dridhjet në shtat kralit serb në Beograd. Krah për krah me kryetrimin Azem Galica ishte edhe Vesel Haxha- Galica, i cili u dallua edhe në Brigadën e tribunit Shaban Palluzha.
Në gjirin e kësaj familjeje me traditë, u lind edhe Bahri Haxha. Prindërit e tij; Rexhepi dhe Halimja nga Klina e Epërme e Skënderajt, patën dymbëdhjetë fëmijë, gjashtë djem: Shyqyriun, Bakiun, Bahriun, Veselin, Artanin, Adnanin dhe gjashtë vajza: Zahiren, Fatmiren, Zahiren, Feriden dhe Mevlyden.
Bahriu erdhi në këtë botë më 3 shkurt 1972. Qysh herët u hetua se ishte natyrë e zgjuar dhe dispononte inteligjencë që nuk përkonte me moshën e tij. Madje edhe fizikisht ishte mjaft i shkathët dhe i fuqishëm. Rrëfimet e burrave, për trimat e vendit dhe luftërat tona shekullore, i përcillte me vëmendje të shtuar. Ato ia shtonin kureshtjen për të ditur edhe më shumë dhe ia sforconin ndjenjën e pastër të atdhetarisë. Kur vajti në shkollë, në Nedakofc, që në fillim u dallua për të mirë. I urtë, i sjellshëm, i dashur dhe mbi të gjitha i zgjuar. Mësimet i përpinte, siç i thonë një fjale. Lexonte shumë, çka i binte në dorë, ama më shumë i pëlqenin librat ku flitej për luftërat, për heronjtë, për Kosovën, për Shqipërinë.
Qysh në klasën e pestë të shkollës fillore “Ali Kelmendi” në Vushtrri, kishte vizatuar hartën e Shqipërisë Etnike dhe e kishte vënë në ballë të klasës. Për këtë veprim të “ndaluar”, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai u ndëshkua me parapërjashtim, ndërsa i ati, Rexhepi, u mor në biseda informative, siç i quanin politikanët mediokër të kohës zezonë, thirrjet në polici, ku përjetoi maltretime të shumta psikike e fizike.
I tillë ishte edhe gjatë shkollimit të mesëm, në QMSH “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, ku më 1991, mori diplomën në drejtimin më të vështirë të asaj kohe; matematikor- natyror (Programer), me sukses të shkëlqyeshëm.

Në rrethimin e parë të Adem Jasharit

Me të mbaruar shkollimin e mesëm, Bahriut i vije ftesa për rekrutim në Ushtrinë Jugosllave.
-Jo, kurrë nuk i shërbej ushtrisë së një pushtuesi!- tha ai, duke e bërë ftesën copë- copë.
Pas këtij veprimi të guximshëm duhej larguar paksa nga valët e stuhisë shkatërrimtare. Dhe, ku tjetër do të gjente strehim të sigurt, përveç në Drenicën e tij stërgjyshore! Disa ditë i kaloi në Galicë, të kushërinjtë e vet e pastaj edhe ta dajat, në Klinë të Epërme. Mu ato ditë, ishte fundi i vitit 1991, u sulmua komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ishte ky sulmi i parë i 31 dhjetorit 1991. Kur u mobilizuan drenicarët për t’i vajtur në ndihmë familjes Jashari dhe komandantit të tyre, edhe Bahriu u gjend në mesin e atyre që kishin ndarë mendje ta bënin vdekjen si me le. Për fat, forcat serbe kishin nuhatur situatën dhe ishin tërhequr me bisht nën këmbë…
Sidoqoftë, kjo qe një ngjarje që në shpirtin e djaloshit bëri kthesë të madhe, duke ia sforcuar edhe më idealin për agun e shpejtë të ditës së bardhë…

Studenti shembullor

Më vonë, Bahri Haxha filloi studimet në Fakultetin e Elektroteknikës- drejtimi i Informatikës, në Prishtinë. Provimin pranues e kishte dhënë me sukses të kënaqshëm, duke zënë kryet e ranglistës. Krahas mësimeve ai kryente edhe detyra të tjera në aktivitete politike e organizative studentore. Ishte në bashkëpunim të ngushtë me Unionin e Pavarur të Studentëve të Prishtinës. Ai, në bashkëveprim me të vëllain, Shyqriun, i cili ishte në krye të Unionit dhe me veprimtarin, tashmë dëshmorin, Mehë Uka, kishin marrë përsipër detyra me peshë kombëtare.
Por, as UDB-ja jugosllave nuk flinte. Kukudhat e saj i kishin rënë në gjurmë aktiviteteve të tij atdhetare. Dhe, në tetorin e vitit 1997, e arrestojnë në Prishtinë, duke e maltretuar e duke e kërcënuar, me qëllim frikësimi. Por, kot. Ai me kohë ishte përcaktuar në rrugën e lirisë.
Bahriu, edhe në demonstratat që u organizuan kundër mbylljes së Universitetit të Prishtinës, qe mjaft i zëshëm. Ai, ishte për vazhdimin e mësimit nëpër shtëpi private. Këmbëngulësia e tij me shokë, duke bërë thirrje edhe përmes valëve të Radio Zagrebit (emisionit në gjuhën shqipe), dha rezultate pozitive. Mësimet, përkundër vështirësive të shumta, zhvilloheshin për lakmi. Edhe gjatë demonstratave të mëdha studentore, të vitit 1998, Bahri Haxha ishte në radhët e para.

Viti 1998, për studentin shembullor qe i mbarë. Atë vit mori diplomën e Inxhinierit të Informatikës dhe u martua me Naimen nga Suma, të cilës, shpeshherë i kishte thënë: të mora në qafë, sepse unë do të bie në këtë luftë. Pra, kishte parandjenjën e vetëflijimit për atdhe. Megjithatë në fletoren e tij edhe sot ruhet fjalia e shkruar me dorë:”Herët a vonë, do të vijë liria!”.

Edukator i brezit të ri

Kur dhuna serbe ishte shtuar mbi arsimin shqip dhe kur disa, kishin zënë të largoheshin nga ajo detyrë e shenjtë, Bahri Haxha, sypatrembur e entuziast i pashoq, rroku ditarin dhe u mishërua me edukimin e brezit të ri. Nuk deshi t’ia kthej shpinën Kosovës në këto orë të liga, andaj u punësua në SHMT në Vushtrri. “I gjallë nuk do ta lëshoj Kosovën. Ky është vendi ku edhe dua të vdes!”- ngulte këmbë, kur ia përmendnin largimin nga atdheu.
Profesori i ri, nuk kënaqej vetëm me mësimdhënie. Ai kishte rënë në kontakte me UÇK-në dhe ishte vënë në dispozicion të saj moralisht, materialisht e fizikisht. Me të formuar të celulave të para edhe në Shalë, ai ishte lajmëruar në Shtabin e Batalionit IV të UÇK-së në Ceceli, te komandant Gani Imeri. Ai, duke e vërejtur se trimi vinte nga një familje me tradita të shkëlqyera atdhetarie e trimërie dhe duke i parë aftësit e tij organizative e profesionale, u konsultua edhe me drejtues të tjerë të luftës dhe, pa u hamendur, e caktuan në sektorin më të ndjeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Logjistikë. Aty ai duhej, ku mund të kontribuonte më së shumti, gjykuan ata. Dhe, nuk kishin gabuar fare. Puna e tij në terren kishte bërë të veten. Dashuria e popullit për luftëtarët e lirisë shtohej dita- ditës saqë po shndërrohej në ideal të pashuar jetësor. Edhe radhët e vullnetarëve për t’i rrokur armët çlirimtare, nuk kishin të sosur, madje as armë nuk kishte për të gjithë.
Në atë drejtim i ndihmonin edhe vëllezërit e tij nga mërgata, sidomos Shyqriu, i cili ishte i lidhur drejtpërsëdrejti me Fondin “Vendlindja thërret” dhe me organizatorët e udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bahriun më nuk mund ta kapnin dot. Ai ishte lart në male, atje ku shqipet e lirisë kishin hapur krahët dhe po i dilnin zot atdheut të sakatosur. “Bahriun e kishim përherë pranë vetes, në konsultime e në veprime. Sa e sa herë e rrezikoi veten për t’na sjellë ushqime, veshmbathje, barna, madje edhe municion të grumbulluar nga qytetarët,- përkujton sot me pietet të lartë komandanti i tij, Gani Imeri.

Ngjarjet rridhnin lumë. Ditën kur u sulmuan pozicionet e luftëtarëve të lirisë në majat e Shalës së Bajgorës, Bahri Haxha, u detyrua të bashkohet me familjen e vet dhe të përpiqet për ta shpëtuar nga më e keqja…

Një fund i tmerrshëm

E diela e 2 majit 1999 gdhiu ndryshe nga ditët e tjera. Orteku mbytës rrokullimë lëshohej tatëpjetës. Hakmarrje! Hakmarrje!- çirreshin e ulërinin djajtë shpirtnxirë e duarpërgjakur. Militarë e paramilitarë serboçetnikë, vërsulën mbi kolonën prej katërqind traktorësh e mijëra vetash midis dy Studimeve të Vushtrrisë. Bishat e egërsuara u ndalën edhe para traktorit të Bahriut. Familja e tij ngeli pa frymë. Të gjithë e dinin se djali i tyre ishte në listën e zezë të cerberëve të përtej Tunës. Motër Mevludja ia jep një çantë dhe i thotë shfrytëzoje rastin e ik kah të mundesh, por ai ia kthen: “Jo, jo, se mbase unë vritem e ju shpëtoni”.
Dhe, e identifikuan. Ata u gëzuan që më në fund e gjetën atë që po e kërkonin prej kohësh. As shuma e madhe e parave të plaçkitura atypari nuk ua zbutën zemrat të pashpirtëve. Sakaq ca krisma të mbytura i dhanë fund profesorit të nderuar.
– A ke çka bën tashti?- i thanë babë Rexhepit gjakatarët me krekosje prej të sëmuri histerik.
– Kaq patët mundësi, kaq bëtë more horra!- ua ktheu ai, që në ato çaste kishte ngelur i mpirë si mumie
Kasaphana vazhdoi edhe më derisa kaloi numri paraparë mbi njëqind…Trupi i pajetë i Bahriut, bashkë me të tjerët, varrosen nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Studime, ndërkaq sot eshtrat e tij pushojnë të qetë në dheun e Kosovës së lirë, në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë..

Kujtimi për të nuk shuhet kurrë. Atë e kujtojnë nxënësit dhe kolegët, e kujton populli, e kujton Kosova, e kujton Shqipëria. Më mirë se gjetkë ai do të përkujtohet në vatrën e diturisë ku edhe vetë dha mësim, në Shkollën e Mesme Profesionale në Vushtrri, e cila tash e tutje me krenari do ta mbajë emrin “BAHRI HAXHA”.

Mbase, më së miri e kujton vetë familja e tij, e cila ndjehet krenare që pati një djalë të tillë, për ta nderuar vendin e atdheun. Rrugën e tij, në frontin e dijes, e vazhduan vëllezërit: Prof. dr. Shyqri Haxha, ligjërues në Universitetin e Kentit, i cili pos kontributit të madh intelektual e kombëtar, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për aftësimin e kuadrove të reja nga Kosova, para ca muajsh u emërua Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së; Vesel Haxha doktor shkence në Universitetin e Manqesterit; Artan Haxha- Galica, sportist i dalluar.

Kjo, madje, edhe më mirë vërtetohet me vajzën e tij, Bahrijen, e cila edhe pse ka lindur në Londër të Anglisë, ku është edhe nxënësja më e mirë, Kosovën dhe UÇK-në i do shumë dhe mban në zemër.
– UÇK-ja është shpirti im!- u thotë ajo gjyshit e gjyshes, Rexhepit e Halimes, duke ua hequr mallin e djalit, të cilin e mbajnë thellë në zemër.

DJALIN MA VRANË PARA SYVE

Vetëm mendjet e lira e ndjejnë peshën e vargonjve.
(Volteri)

Puna ime hulumtuese në terren, përveç që është e mundimshme dhe e rëndë, është edhe mjaft e ndjeshme dhe emocionale. Më rastis të bisedojë me njerëz që kanë përjetuar shumçka, me njerëz që kanë humbur më të dashurit e tyre në luftë, me njerëz që kanë parë e kanë ndjerë atë çmenduri, që njeriu i civilizuar bashkëkohor as që mund ta marrë me mend. Dhe, në këso rastesh, edhe maja e penës sikur heziton të lë gjurmë mbi letër. Madje, madje, ngjyra e saj më shumë i gjason gjakut. Paj, nuk thuhet kot, me gjuhën kuranore, se vetëm ngjyra e penës që pasqyron atë sakrificë sublime, i afrohet gjakut të atyre që sollën Ditën e Bardhë, sollën LIRINË.
Edhe kësaj radhe më ngjau e njëjta gjë. Sa e sa herë u përpoça për t’i ikur këtij rrëfimi rrëqethës, por kjo ishte një dëshmi, pa të cilën ngjarja që e pasqyroja, më dilte e zbehtë. Babai i Bahri Haxhës, Rexhep Vesel Galica, i fortë si përherë, rrëfen qetë- qetë, për Masakrën e Studimës, të 2 majit 1999, për vrasjen e djalit mu para syve të tij dhe të familjes, për golgotën dhe rropatjet e familjes se tij, për barbarinë e asaj dite, për sfidimin dhe mbijetimin e mortjes…

Degdisja

…Më 28 mars 1999, Ditën e Bajramit, i lëshuam shtëpitë tona në Sfarçak dhe zbritëm në shtëpitë e Pasomëve, në Nedakofc, pranë asfaltit. Natën e parë aty buajtëm një turmë e madhe, mezi dolëm në mëngjes. Të nesërmen shkuam më brenda në katund, të një Rexhep Sfarça dhe qëndruam dy net. Kudo përreth e kishim policinë serbe. Gjatë asaj kohe, me vajzat, Feriden dhe Mevluden, kemi shkuar deri në shtëpinë tonë. Posa hyra në oborr më kanë gjuajtur me revole nga ana e epërme, nga kulla e Bozhlanëve. U detyruam të tërhiqemi shpejt e shpejt. Duke shkuar prej Rrëzhanëve, te Varret e Katundit, u thashë vajzave: Ecni kujdesshëm dhe qëndroni largas 5-6 metra, sepse te Shtëpia e Kulturës apo Depoja siç i thonë ndryshe, i kishim militarët serbë, shumica nga Sfarçaku. Asfaltin e kapërcyem me vrap. Prapë shkuam në Nedakofc dhe me një traktor, bashkë me mikun e Bahriut, Bislim Ferizin e Pasomës, kemi kaluar në Studime të Poshtme, te Rrustem Bajgora.
Ah, më fal se harrova të të tregoj se natën e parë që u vendosëm në Sfarçak, në shtëpinë e Sabit Pasomës, djalin e madh, profesor Bahriun, e kam dërguar në Dumnicë, për t’iu bashkëngjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Traktorin e vozitja vetë, edhe pse ishte plot e përplot. Edhe vajzat dinin të vozisnin, sepse disi moti e kam parandjerë një ditë të tillë dhe i pata mësuar,- thotë xha Rexhepi dhe, për një çast, ndërpret rrëfimin.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liga e futbollit dhe qeveria britanike kanë gjetur akordin sa…