Lluka: Mendimet ndryshe mund t’i kundërshtoni në mënyrë njerëzore

03 maj 2020 | 16:11

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shprehjes, ka shkruar se ekziston një shqetësim më i madh se cenimi i së drejtës për t’u shprehur apo për të dhënë mendim ndryshe, e ai sipas tij është kur liderët aktual në pushtet nuk i dënojnë këto qëndrime ekstreme.

Sipas tij, çdo qytetarë duhet të ndjehet i sigurt në atë se çfarë thotë.“Mjaftë kemi qenë të privuar nga kjo e drejtë para vitit 1999 dhe në asnjë formë nuk duhet të tolerohet kjo dukuri, askush nuk guxon të ndjehet superior apo i plotfuqishëm”.

Postimi i plotë i Llukës në “Facebook”:

Për ku jemi nisur?. Sot, ma shumë se kurrë në jetë, nuk kam pasur ankesa nga miq të ndryshëm se kur kanë shprehur mendim ndryshe në media sociale nga ajo se çfarë mendon pushteti, janë vërshuar me ofendime, kërcënime e linçime nga më të pështirat. Një gjë e tillë është edhe më e theksuar tek politikanët, gazetarët dhe analistët të cilët ekspozohen edhe përmes medieve të ndryshme. Për mua, ekziston vetëm një shqetësim më i madh se cënimi i së drejtës për t’u shprehur apo për të dhënë mendim ndryshe dhe ai është vetëm kur liderët aktual në pushtet nuk i dënojnë këto qëndrime ekstreme. Çdo qytetarë duhet të ndjehet i sigurt në atë se çfarë thotë. Mjaftë kemi qenë të privuar nga kjo e drejtë para vitit 1999 dhe në asnjë formë nuk duhet të tolerohet kjo dukuri. Secili kemi të drejtë të barabartë ndaj Kosovës dhe askush nuk guxon të ndjehet superior apo i plotfuqishëm. Asnjë qeveri nuk është e përkryer dhe secila bënë gabime dhe ato gabime, kushdo qoftë në pushtet, duhen të kritikohen, nëse për asgjë tjetër, për një të mirë të përbashkët. Secili që mendon ndryshe, ka drejtë të kritikoj vendimet që cenojnë raportet tona me miqtë tanë, secili ka drejtë të kritikoj vendimet që pranojnë donacion minimal e simbolik prej armikut, secili ka drejtë të kritikoj vendimet që lejojnë ofenduesin Jabllanovic të qarkulloi pa pengesë gjatë izolimit e i cili shkon në Beograd për të raportuar çdo ditë pa kontroll, e aq më tepër që kufizon një deputet dhe kryetar partie për interesa politike siç është rasti i z. Pacolli. Sot, kur këto vendime cilësohen si të këqija, një grup i njerëzve mendojnë që kanë të drejtë t’i mbrojnë ato vendime dhe fillojnë me ofendime e kërcënime. Ky është shqetësimi që mbrëmë nuk më ka lënë të flejë rehat duke menduar se për ku jemi nisur? Kah po shkojmë si Kosovë, si shtet i ri demokratik?Ju lutem mendoni para se të veproni. Mendimet ndryshe mund t’i kundërshtoni në mënyrë njerëzore, me argumente e fakte të cilat ju fusin në një pozicion më të mençur si individ e të gjithëve si shoqëri. Kosova sapo na bëri krenar me raportin e fundit të lirisë së shtypit ku ishim lider në rajon dhe më mirë se shumë vende të Bashkimit Evropian. Por me këtë çfarë po ndodhë së fundmi, jam i sigurt që vitin e ardhshëm do të rankohemi më keq se çdo vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
78 raste janë të konfirmuara deri më tani me Covid-19…