Pas 51 ditësh në karantinë, Malishevës i hiqet kjo masë

03 maj 2020 | 15:34

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka vendosur për shfuqizimin e masës së karantinës për komunën e Malishevës, masë e cila ishte marrë më 14 mars të këtij viti, pas shfaqjes së rastit të parë të prekur me virusin korona (COVID-19).

Edhe pse masa e karantinës, është hequr, masat tjera të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, mbesin në fuqi.

Pas largimit të masës së karantinës për territorin e Komunës së Malishevës, i pari i komunës, Ragip Begaj, i ka falënderuar të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për qytetarinë e treguar në zbatimin e të gjitha masave mbrojtëse, për mos përhapje të sëmundjes së COVID-19.

“Kultura e treguar në zbatimin e masave mbrojtëse për luftimin e përhapjes së virusit korona, i ka dhënë rezultatet, dhe që disa ditë në komunën tonë kemi pothuajse zero raste të reja të prekur me këtë virus, e numri i të shëruarve është më i madhi në vend, pasi janë shëruar 58 persona të prekur. Për këtë kulturë të treguar dhe për zbatimin në përpikëri të të gjitha masave, në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj të gjithë qytetarët, e po ashtu i falënderoj edhe të gjithë ata që janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje, punëtorët shëndetësorë në QKMF, Ministrinë e Shëndetësisë, në Klinikën Infektive, IKSHP-në, IRSHP-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë stafin e Komunës së Malishevës, të cilët, nga dita e parë janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje”, tha kryetari Begaj, pas marrjes së vendimit për heqjen e karantinës për Komunën e Malishevës.

Pavarësisht heqjes së masës së karantinës, Begaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që të vazhdojnë t’i respektojnë në maksimum të gjitha masat tjera për mbrojtje nga përhapja e virusit “Korona”.

“Pra mos u grumbulloni në vende publike apo në ndeja rasti, mbani distancën e rekomanduar fizike prej dy metra, mbani maska e dorëza, mos dilni pa nevojë, respektojeni masën e kufizimit të lëvizjes, dhe mbani higjienën e duhur”, ka thënë Ragip Begaj, duke kërkuar nga qytetarët, që të kenë kujdes të shtuar në raport me COVID-19.

Gjendja aktuale me COVID-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: 76 të prekur me COVID-19, prej tyre 58 janë shëruar, një person ka pësuar me fatalitet dhe 17 persona janë në kurim e sipër, gjendja e të cilëve është stabile dhe pritet që brenda pak ditëve, shumica prej tyre të konfirmohen plotësisht të shëruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka bërë me…