Kurti: Kriza politike ishte e paarsyeshme dhe e panevojshme

03 maj 2020 | 21:31

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook” ka folur për tremujorin e parë të punës së Qeverisë.

“Sot janë bërë tre muaj që nga dita e zgjidhjes së qeverisë. Që nga 3 shkurti secila ditë ka qenë ditë e ndryshimit dhe Republikës për qytetarët, por sigurisht edhe ditë e rezistencës për sistemin e vjetër, i cili i shërbente një pakicë të shoqërisë. Edhe pse duket sikur ka kaluar shumë kohë me gjithë këto ngjarje që ndodhën, për mua ende është i freskët entuziazmi i madh i 6 tetorit. Gëzimi i njerëzve të çliruar nga një ankth i gjatë, ngazëllimi dhe gjallëria e rinisë, hovi i mërgatës dhe shpresa që u zgjua në mbarë rajonin se kur njerëzit e zakonshëm bëhen bashkë bëjnë gjithçka të mundur. 6 tetori është data kur ne bëmë prerjen nga e kaluara e dhimbshme drejt një të ardhme të ndritshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se nuk mund të kthehen mbrapa. “Vullneti masiv i qytetarëve më 6 tetor mezi arriti të bëhej realitet më 3 shkurt dhe u tentua të mbytej më 25 mars”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se qeveria u rrëzua sepse duan një marrëveshje të shpejtë për gjendje të jashtëzakonshme e copitim të territoreve, gjë që sipas tij, nuk mund t’i bënin me këtë qeveri.

Kurti ka shtuar se sot ende nuk dihet se çka ka shkruar Thaçi në letrën që ia dërgoi LDK-së.

“Ne ende nuk e dimë çka ka në marrëveshjen me Listën Serbe. Të premten e pamë se si u nxor një dekret jo kushtetues. Unë e kuptoj presidentin ceremonial që punët ka dëshirë t’i mbarojë jashtë orarit e jashtë ligjit, ama këtë nuk mund ta pranojmë e as lejojmë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kriza politike ishte e paarsyeshme dhe e panevojshme.

“Te ne pamë se si disa akterë në vend, në vend se të fokusoheshin në luftimin e përbashkët të pandemisë, luftuan kryeministrin. Një opozitë dhe një president që virusin nuk e shihnin si rrezik për qytetarët nga i cili duhet shapërtuar por si mundësi për vetën e tyre për të përfituar. Presidenti, opozita dhe partneri ynë i koalicionit u bënë bashkë që krizës shëndetësore t’ia shtonin edhe një të tillë politike. Kriza politike ishte e paarsyeshme dhe e panevojshme”, ka thënë Kurti.
Kurti ka rikujtuar disa nga punët të cilat Qeveria i ka bërë në këta tre muaj.

Ai ka përmendur shkarkimin e ambasadorëve, konsujve e bordeve të cilat sipas tij kanë qenë të korruptuara e kanë punuar në vazhdimësi me humbje.

“Ne kemi zbritur numrin e ministrive, kemi ulur pagat, kemi larguar pozita si koordinatorë nacional. Kemi qeveri më të vogël por më të mençur dhe efikase. Kemi kthyer mbrapsht ambasadorë e konsuj që janë emëruar kundërligjshëm. Vendi ynë ka nevojë për njohje nga bota por jo për familjarë që kanë nevojë ta njohin botën. Kemi shkarkuar borde që operonin me humbje. Ndërmarrjet publike ishin kthyer në biznese familjare. Tashmë familjarët do t’i mbajnë mbledhjet familjare në shtëpitë e tyre. E hoqëm tarifën 100 për qind dhe e vumë reciprocitetin. Po ashtu aprovuam grupin e ekspertëve për parimet e vetingut. Organizuam për herë të parë mësimin në distancë. Dhamë ndihmë prej gjysmë milioni euro për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin”, ka shtuar ai.

Kurti ka kritikuar përpjekjet që po zhvillohen për krijimin e Qeverisë së re.

“Sot po synojnë që me të njëjtën Kushtetutë, që dikur e përdornin për të legjitimuar veprimet e tyre, tani të na mohojnë të drejtën tonë. Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë pushtet pa zgjedhje. Protestat e tyre kanë pasur synim që të ndalin vendimet që cënojnë sovranitetin e Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se një Qeveri ka legjitimitet kur bazohet në fuqinë e votës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti…