LV-ja: PLAN-i me presidentin po përpiqen të formojnë një qeveri jokushtetuese

04 maj 2020 | 21:00

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, të parën pas një kohe të gjatë për shkak të pandemisë Covid-19.

Sipas njoftimit të LV-së, në këtë mbledhje u diskutuan zhvillimet e fundit në vend.

Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se partitë e PLAN-it së bashku me presidentin janë duke bërë përpjekje për të formuar një qeveri jokushtetuese.

“Sa i përket aspektit politiko-organizativ u diskutua edhe për masën e përkohshme që Gjykata Kushtetuese ndërmori ndaj dekretit jokushtetues dhe përpjekja e partive të PLAN-it me presidentin për të formuar një qeverisje sa jokushtetuese aq edhe ilegale e jolegjitime. Po ashtu në mbledhje u theksua edhe përkrahja gjithnjë e në rritje nga qytetarët për Lëvizjen që vjen si rezultat i shumë punëve të mira në qeveri, menaxhim të mirë me situatën pandemike dhe konsistencën e saj karshi zotimeve për të cilat ka marrë besimin e qytetarëve”, bëhet me dije në njoftimin e LV-së.

Ky subjekt politik ka njoftuar se në këtë mbledhje u diskutua edhe për rastin e vdekjes së të riut Agon Musliu nga Livoçi i Gjilani, i cili vdiq dje në Qendrën e Karantimit në Prishtinë.

“Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta Lëvizja Vetëvendosje kërkon edhe njëherë që kjo ngjarje e rëndë të trajtohet me prioritet nga organet e drejtësisë dhe të zhvillohen hetime të pavarura e transparente të cilat do ta zbardhnin rastin deri në hollësi”, thuhet në njoftimin e LV-së.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe sot Komuna e Malishevës kaloi një ditë të qetë…