Britania kalon Italinë, 32 mijë viktima nga Covid-19

05 maj 2020 | 14:54

Vdekjet nga koronavirusi në Britaninë e Madhe kanë kaluar shifrën 32 mijë, duke dëshmuar se pandemia e ka goditur vendin më fort se Italinë  e Spanjën , edhe pse u shfaq më vonë atje.

Britania e Madhe po rezulton vendi më i goditur nga koronavirusi në Evropë, duke lënë pas Italinë për bilancin më tragjik të pandemisë në kontinent.

Zyra e statistikave njoftoi të martën se janë rishikuar të dhënat zyrtare të javës së fundit për vdekjet në rajonet e Anglisë dhe Uellsit, pasi u analizuan certifikatat e vdekjes që shënojnë si shkak Covid-19.

Si rezultat, rastet e vdekshmërisë për të dyja rajonet u rritën me 34 për qind, duke e çuar mbi 32 mijë numrin e viktimave në nivel kombëtar.

Shifrat e fundit e radhitin Britaninë në vendin e dytë në botë pas SHBA-së për nga jetët e humbura prej pandemisë, duke kaluar Italinë që raporton gati 29 mijë viktima dhe Spanjën me mbi 25 mijë të vdekur që prej përhapjes së koronavirusit nëpër botë.

Ndërkohë afro 200 mijë britanikë janë konfirmuar si bartës apo janë shëruar nga infeksioni vdekjeprurës.

Bilanci i fundit i vdekjeve pritet të rritë presionin politik ndaj kryeministrit Boris Xhonson.

Në fillimin e pandemisë shefi i qeverisë ndoqi një qasje më optimiste sesa vendet e tjera, duke u vënë nën akuzën e opozitës se po vononte marrjen e masave të izolimit edhe në kohën kur dihej situata e vështirë në spitalet italiane.

Qeveria gjithashtu akuzohet për testim të ngadaltë të popullatës dhe për mangësi në pajisjen e stafit spitalor me aparaturat dhe mjetet mbrojtëse. Britanikët prej shtatë javësh jetojnë nën karantinë. /Ora News.tv/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikën, Albin Kurti, ka emëruar Cvetko…