Vetëvendosje dorëzon në Kushtetuese përgjigjet për ‘shkeljet e rënda të presidentit’

06 maj 2020 | 14:05

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka dorëzuar më 5 maj, në Gjykatën Kushtetuese disa komente të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Siç ka njoftuar Vetëvendosje, komentet janë përgjigje ndaj komenteve të presidentit Hashim Thaçi për “shkeljen e rëndë, rrjedhimisht veprimet e tij antikushtetuese të datës 23 mars 2020”.

“Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë. Vendimet e qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia Covid-19, ndërsa sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut”.

“Me këtë rast, presidenti ka bërë shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim. Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional. Për rrjedhojë presim që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatojë antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit të datës 23 mars 2020”, ka njoftuar Vetëvendosje. (L.G: ‘Epoka e re’)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar ish-nënkryetarin e LDK-së,…