Bislimi i kundërpërgjigjet Ymerit: Trishtohesh nga secili raport pozitiv i punës së qeverisë

06 maj 2020 | 17:49

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, i është kundërpërgjigjur Visar Ymerit, i cili ka hedhur dyshime rreth manipulimit me shifrat rreth numrit të papunësisë.

Ditë më parë Bislimi ka thënë se numri i të papunëve për një muaj ka shënuar rënie 6.6 për qind.

E në përgjigjen e tij drejtuar Ymerit, Bislimi shkruan se, “shpresoj që edhe në javët, muajt dhe vitet në vijim të jemi të aftë të të zhgënjejmë ty dhe të tjerët si ti, me “manipulime” të këtilla”.

Kundërpërgjigjja e Bislimit ndaj Ymerit:

Paksa më i sofistikuar, andaj edhe më i stërkequr është reagimi i ish mikut tim Visar Ymeri, i cili si duket trishtohet nga secilit raport pozitiv i punës së qeverisë. Z. Ymeri sikur të kishte pak mundësi ndikimi, gjithë ekonominë e vendit do e kalonte në informalitet, vetëm e vetëm për të mund të arsyetojë devijimin e tij gati trevjeçar politik.

Megjithatë pak shpjegim bazik edhe për Visarin:

  1. Formulën për kalkulimin e normës së papunësisë nuk mund e ridefinojmë sa herë të duam. Është e njëjta që përdoret anekënd rruzullit tokësor:

Norma e papunësisë=numri i të papunëve : fuqinë punëtore.

Tash Visar, përpiqu të fusësh në formulë këto informata:

  1. Fuqia punëtore në tremujorin e katërt: 502.622;
  2. numri i të papunëve të regjistruar 130.289;
  3. punëtorë të rinj të regjistruar brenda muajit të kaluar 9.946 (ky numër sot ka arritur në 10.597);
  4. numri i atyre që kanë humbur vendi e punës gjatë pandemisë 1.268 (sot ky numër është 1.327).
  5. Ekonomia joformale është problem shumë i madh i secilit vend, dhe nuk ka nevojë të listohen dëmet direkte dhe indirekte që derivojnë si për sektorin privat ashtu edhe për atë publik, nga kjo veprimtari. Rrjedhimisht edhe alokohen resurse të ndieshme si humane ashtu edhe financiare për reduktimin e saj. Dhe sa herë që shohim raporte për vendime që kanë rezultuar në uljen e ekonomisë informale, secili prej nesh do duhej të ndihej mire, e të mos turret me sulme. Uroj që të mos kishe preferuar që këta 10.000 persona të mbesin edhe më tej në sektorin joformal. Unë shpresoj që në të ardhmen të arrijmë formalizim më të madh të ekonomisë. Dhe Visar, si edhe besoj e di, një nga arsyet e informalitetit është mosbesimi në institucionet e qeverisë; andaj logjikisht do mund të thuhej e kundërta për motivet që qojnë në formalizim.
  6. Kjo pjesa që flet për dëmet e ekonomisë dhe të fuqisë blerëse, ku vend e pavend po përdoren shumat e 130 dhe 170 Euro, besoj s’ka nevojë të komentohet, meqë buron e tëra nga mosleximi i vëmendshëm i masave të pakos emergjence fiskale.

Krejt në fund Visar, paralelisht me uratën që bashkë me familjen ta kaloni sa më lehtë këtë periudhë të pandemisë, shpresoj që edhe në javët, muajt dhe vitet në vijim të jemi të aftë të të zhgënjejmë ty dhe të tjerët si ti, me “manipulime” të këtilla. (A.M / Epoka e re)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, me…