Kurti: Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Richard Grenell

07 maj 2020 | 14:46

Kryeministri në detyrë,  Albin Kurti, e ka sqaruar letrën që ia ka dërguar zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, në të cilën përmend se emisari special i presidentit amerikan, Richard Grenell është keqinformuar në lidhje me situatën në Kosovë.

Kurti ka thënë se kjo është një letër e vjetër që është shkruar në mes të muajit prill, në të cilën sipas tij janë sqaruar qëndrimet e Qeveri e Kosovës.

“Sa i përket letrës me të cilën po merren tash aq shumë njerëzit, ajo nuk është letër e këtij muaji fare, por është një letër që është shkruar diku ka mesi i muajit prill. Në muajt shkurt, mars dhe prill ju kam shkruar shumë letra të gjithë krerëve institucionalë në ShBA, ashtu si edhe atyre në BE, sepse një ndër detyrat e mia është që të komunikoj me të gjitha qendrat e superfuqive, me të gjitha shtetet mike dhe partnere”.

“Bëhet fjalë për një letër e cila është gati një muaj e vjetër, pra nuk është letër e këtyre ditëve. Me atë letër, unë falënderoj ShBA-të për ndihmën e vazhdueshme dhe përkrahjen që na e kanë dhënë, ashtu sikur shpreh edhe zotimin tim që do të vazhdoj përkushtimi ynë për marrëdhënie të mira me ShBA-të”, është shprehur Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se një pjesë e letrës drejtuar Mike Pence i referohet situatës me pandeminë Covid-19.

“Gjithashtu unë kam shprehur edhe qëndrimet tona si qeveri e Kosovës dhe të miat si kryeministër në detyrë për çështje të ndryshme politike, përfshirë edhe dialogun me Serbinë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se nuk i është ankuar askujt për ambasadorin për ambasadorin Grenell.

“Unë nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Richard Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mia mbi këtë dialog se si duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Në veçanti po e theksoj që për shkak se ka shumë keqinformim për qeverinë tonë dhe për mua jo vetëm si kryeministër, por edhe si politikan në përgjithësi, se çfarë bëj dhe çfarë them kam shprehur qëndrimet e mia që të mos ketë keqkuptime. Nuk janë letra lobuese, por janë letra zyrtare që i dërgon kryeministri i një shteti krerëve të një shteti tjetër”, është shprehur Kurti.

Megjithatë, Kurti nuk e ka pohuar e as mohuar se në letrën që i ka shkruar zëvendëspresidentit amerikan se presidenti Hashim Thaçi është duke e keqinformuar ambasadorin Richard Grenell.

“Ka shumë akterë që keqinformojnë për mua dhe nuk dua të merrem me të gjithë ata. Për shkak se ka imazh ndonjëherë të deformuar të qëndrimeve tona dhe neve si qeveri. Unë e kam sqaruar pozicionin tonë”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sfida e kthimit e 1/8 të finaleve të Ligës së…