20 vjet nga vrasja e komandant “Drinit”, kriminelët ende në liri

08 maj 2020 | 08:54

Më 8 maj 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, qe vrarë para shtëpisë së vet në Prizren. Kjo vrasje pati ndodhur në rrethana misterioze. Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, edhe pas angazhimit, ka dështuar për gjetjen e vrasësve të tij.

20 vjet pas vrasjes së tij, familjarët ende kërkojnë zbardhjen e vrasjes së “Drinit”. Ruzhdi Rexha, vëllai i “Drinit”, tregon se dëshira e familjes është që kjo vrasje të ndriçohet sa më shpejt. “Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje”, thotë Rexha, shkruan “PrizrenPress”.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, u vra para shtëpisë së vet në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, sa po punonte drejtor për Emergjencë në Komunën e Prizrenit. Sapo kishte dalë në oborr ta ndezte veturën për të shkuar në punë dhe po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit e cila ishte shpuar qëllimisht, ishte qëlluar me armë automatike.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren, janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për ta zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e Dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren që, siç është thënë, në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Gjykata Speciale pritet ta rikthejë rastin e vrasjes së “Drinit”. Ajo në dhjetor të vitit 2018 ka ftuar dëshmitarin kryesor të këtij krimi, Remzi Shalën. Ai nuk i ishte përgjigjur ftesës. Në vitin 2002 Shala ishte dëshmitari kryesor në gjykimin e kësaj vrasje, ku i dyshuari kryesor kishte qenë një komandant, gjithashtu i njohur i luftës, Sali Veseli.

Shala gjatë luftës kishte bashkëvepruar me Veselin, ndërsa pas luftës ishte bërë shofer i tij. Pas vrasjes së komandant “Drinit”, Shala u bë dëshmitari kryesor kundër mikut dhe shefit të tij. Remzi Shala nga Suhareka u pat vetëdeklaruar se është ftuar nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë.

Njëra nga vrasjet më misterioze që pati tronditur Prizrenin pas luftës ka qenë vrasja e komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’.

Vëllai i “Drinit”, Ruzhdi Rexha, ka humbur besimin në drejtësi. “Në atë kohë ishte UNMIK-u. Edhe pse i mbajti dy procese, dështoi në zbardhjen e vrasjes së ‘Drinit’. Ne jemi djegur dhe nuk e di a mund t’i besojmë më profesionalizimit të drejtësisë ndërkombëtare”, shprehet ai për “PrizrenPress”.

Ai thotë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar dy herë në gjetjen e vrasësve të “Drinit”. “Ne kemi pasur dhe kemi dëshirë që kjo vrasje të zbardhet nga organet tona. Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje. Për ne është e rëndësishme që të zbardhet vrasja, pavarësisht se kush e bënë, vendorë apo ndërkombëtarë“, shprehet ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka dekoruar me Medaljen e Pavarësisë bashkëshorten dhe dy djemtë e ish-komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha-“Drini”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fetije Hyseni, infermiere në Klinikën Infektive, kishte shumë frikë kur…