Unë s’e nënshkruaj njohjen e Kosovës

08 maj 2020 | 11:31

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksander Vuçiq, thotë se nuk e nënshkruan një marrëveshje me Kosovën që do ta kishte njohjen reciproke, edhe përkundër faktit se një gjë e tillë po kërkohet nga Kosova. Këto deklarata Vuçiqi i ka bërë në një intervistë për RTS teksa ka folur për Samitin e Zagrebit, emërimin e Miroslav Lajçakut dhe për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi.

Vuçiq ka thënë se nëse serbët dëshirojnë ta njohin Kosovën, atëherë duhet të gjejnë një president tjetër. “Ata po thonë se e duan njohjen nga Serbia, e unë s’mund të them që do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës. Nëse ata (serbët) e kanë dikë që mund të thotë një gjë të tillë, le ta zgjedhin, zgjedhjet presidenciale do të jenë në më pak se një vit”, ka thënë Vuçiq, transmeton Express.

Ai, gjithashtu, është pyetur edhe për deklarimet e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, rreth çështjes së korrigjimit të kufijve, megjithatë ka qenë fjalëpakë.

“Unë s’kam kurrfarë ideje se s’i mund të duket zgjidhja”, është shprehur Vuçiq.

Teksa ka folur për diskutimet në Samitin e Zagrebit,  Vuçiq ka thënë se kancelarja gjermane Angela Merkel shumicën e fjalimit të saj ia ka kushtuar çështjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pas Samitit të Zagrebit konferencë për media ka mbajtur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania “HIB Petrol” ka reaguar ndaj vendimit të Autoritetit Kosovar…