IKSHPK-ja: Akoma ekziston rreziku i përhapjes së Covid-19, aty ku ka grumbullim të njerëzve

09 maj 2020 | 23:09

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) pasi ka publikuar rezultatet e fundit për pandeminë Covid-19, ka dalë edhe me një njoftim të ri.

Pas tetë rasteve të sotme të infektuar me Covid-19, IKSHPK-ja bën thirrje që të mbahet distanca fizike dhe të mbahen maskat.

Ky institut ka theksuar se lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.

“Të nderuar qytetarë! Sonte detektuam 8 raste pozitive në tërë vendin e 3 prej tyre në Prishtinë! 870 raste deri sot me 653 të shëruar! Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se akoma ekziston rrezik i përhapjes së Covid-19 në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.

“Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të Covid-19! Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj! Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, është bërë me dije në njoftimin e IKSHPK-së.

(Q.M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës…