Veseli kadetit të Akademisë së Forcave Ajrore i dhuron emblemën e UÇK-së

10 maj 2020 | 11:27

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar të riun Albin Bytyçi i cili është kadeti i parë nga Kosova që do të studiojë në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veseli e ka quajtur kënaqësi këtë takim, teksa ka thënë se pranimi i tij në këtë akademi është pasqyrim i bashkëpunimit të ngushtë në mes të ShBA-së dhe Kosovës. “Pata kënaqësinë që të takoja një të ri të talentuar dhe punëtor si Albin Bytyçi, nga Malisheva, i cili është pranuar si kadeti i parë kosovar që do të studiojë në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pranimi e tij në këtë akademi prestigjioze, është pasqyrim i bashkëpunimit të ngushtë në mes të SHBA-ve dhe shtetit të Republikës së Kosovës si dhe dëshmi e konsolidimit të ushtrisë së re të vendit tonë”, ka shkruar Veseli.

Para nisjes për në Amerikë, Veseli i ka dhuruar Bytyçit stemën e UÇK-së si përkujtim të faktit që Forcat e Armatosura të Kosovës janë trashëgimtare të denja të luftës sonë çlirimtare. “Dikur ishin forcat ajrore amerikane që na mbronin e mbështesnin për të fituar lirinë e së shpejti do të kemi forcat tona ajrore për të mbrojtur pavarësinë, me pilotë që do të marrin kualifikimet më të mira amerikane. Pranimi është meritë e madhe edhe personale e Albin Bytyçit, pasi procesi i përzgjedhjes për këtë shkollë elitare është tejet i vështirë. Përveçse e përgëzova për këtë arritje i dhurova një stemë të UÇK-së, si përkujtim të faktit që Forcat e Armatosura të Kosovës janë trashëgimtare të denja të luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Veseli.

 

(B. D.: “Epoka e re” )

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeadministratori ka shkruar libër për Kosovën. Në të ai flet…