Ragmi Mustafa kërkon që Lugina e Preshevës të jetë subjekt negociatash në dialogun Kosovë-Serbi

10 maj 2020 | 14:21

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se në një marrëveshje eventuale përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të diskutohen edhe kufijtë e Serbisë, respektivisht Lugina e Preshevës.

Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet të diskutohet vetëm për kufijtë e Kosovës, por edhe për ata të Serbisë.

“Nëse duam dialog të barabartë dhe​ paqeje të qëndrueshme, në marrëveshjen eventuale përfundimtare Prishtinë-Beograd duhet të jetë subjekt negociatash edhe Serbia, respektivisht Lugina e Preshevës. Janë shtuar zërat se në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet biseduar për çështjet përtej kufijve të tanishëm të Republikës së Kosovës. Kjo qasje që ka për synim të ‘ndërhyhet’ vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, përjashton mundësinë të ​‘ndërhyhet​’ në çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë, pra edhe me Luginën e Preshevës”.

“Sigurisht se janë palët e përfshira në dialog që i përcaktojnë përkufizimet, kornizën, parimet dhe kriteret e dialogut. Por, nëse duam dialog midis të barabartëve dhe paqeje të qëndrueshme, atëherë kjo nënkupton se çfarëdo teme eventuale që mund të jetë subjekt negociatash (kufijtë e jashtëm, rendi kushtetues, rregullimi i brendshëm administrativo-territorial, burimet natyrore dhe asetet ekonomike, të drejtat e minoriteteve, krimet e luftës dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve, etj) duhet të trajtohet për të dy vendet të cilat janë palë në dialog”, ka shkruar Mustafa. (L.G/ Epoka e re)

https://www.facebook.com/ragmi.mustafa/posts/10221341025730921

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova ka fituar betejën kundër korona virusit, por jo edhe…