Gjyshja spanjolle, personi më i vjetër në botë që shërohet nga Korona
Një grua 113-vjeçare nga Girona e Spanjës është shëruar nga koronavirusi. Hulumtuesit thonë se ajo është personi më i vjetër në botë që i ka mbijetuar sëmundjes së re.
Mediat lokale raportuan të hënën se Maria Branyas, e cila gjithashtu është personi më i moshuar në Spanjë, e mposhti koronavirusin pasi luftoi për disa javë me të.
Pasi kishte dalë pozitive në test, zonja Branyas ishte vendosur në karantinë në dhomën e saj në shtëpinë e të moshuarve, ndërsa më vonë doli negative në testin për koronavirus. Dy persona të tjerë në këtë shtëpi të kujdesit kanë vdekur nga virusi i ri.
Për më tepër, kur ajo ishte fëmijë e kishte mposhtur edhe Gripin Spanjoll, që ishte pandemia më vdekjeprurëse e shekullit të kaluar, e përhapur në vitet 1918-1920, shkruan “Anadolu”, transmeton Express.
Grupi për Hulumtime Gjerontologjike, që përbëhet nga shkencëtarë që merren me studimin e çështjeve që lidhen me personat e moshuar, pretendojnë se në bazë të të dhënave që janë në dispozicion, Branyas është personi më i vjetër në botë që është shëruar nga koronavirusi.
Deri më tani në Spanjë janë regjistruar 227 436 raste me Covid-19, ndërsa 26 744 persona të infektuar kanë vdekur.