Çitaku vazhdon punën, nënshkruan marrëveshje për heqjen e vizave

12 maj 2020 | 09:03

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Shën Luçias kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe atyre zyrtare.

Marrëveshja midis dy vendeve është nënshkruar në Uashington nga ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku dhe ambasadori Anton E. Edmunds, në emër të Qeverisë së Shën Luçias.

Lajmin e ka dhënë vetë Çitaku në një njoftim në “Facebook”. Nënshkrimin e kësaj marrëveshje ajo e ka quajtur lajm të mrekullueshëm. Për nënshkrimin e kësaj marrëveshje ka njoftuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Aty njoftohet se shtetasit e secilit shtet që kanë pasaportë të vlefshme diplomatike ose zyrtare mund të hyjnë, të qëndrojnë, të dalin dhe të kalojnë nëpër territorin e shtetit të palës tjetër pa viza për një periudhë që nuk kalon nëntëdhjetë (90) ditë.

“Kjo periudhë mund të zgjatet për nëntëdhjetë (90) ditë të tjera të qëndrimit pa viza nga autoritetet kompetente të shtetit të palës tjetër, me kusht që kohëzgjatja e qëndrimit të tyre të mos kalojë nëntëdhjetë (90) ditë brenda një periudhe prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditëve”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se më 3 mars Ministria e Jashtme ka njoftuar se janë propozuar për t’u larguar nga misionet diplomatike ambasadorët politikë që iu ka përfunduar mandati katërvjeçar, në mesin e tyre edhe ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë se një “vigjilencë ekstreme”…