Katër të infektuarit me Covid-19 në Rahovec janë raste kontakti

13 maj 2020 | 23:20

Edhe katër qytetarë nga Komuna e Rahovecit kanë dalë pozitiv me Covid-19 pas ritestimit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHP në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se rastet janë nga fshati Opterushë dhe janë raste kontakti (familjarë) të punëtores shëndetësore në repartin e hemodializës në Prizren, e infektuar ditë më herët në vendin e saj të punës.

Kryetari Latifi u ka bërë thirrje qytetarëve që të rrinë në shtëpi.

Sipas rezultateve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të mërkurën janë testuar gjithsej 255 mostra, ku nga to janë konfirmuar tetë raste me Covid-19.

Për dallim nga ditët e kaluara, të mërkurën nuk është raportuar për ndonjë rast që është shëruar nga Covid-19.

Deri më tani në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 gjithsej 927 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërkohë deri më tani janë shëruar 671 persona.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
A do të bëjmë plazh këtë vit? Kjo është pyetja…