Deputeti i PDK-së thotë se qeveria Kurti është duke i diskriminuar qytetarët
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha, ka reaguar ndaj test-protestës së organizuar nga përkrahës dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila drejton qeverinë në detyrë.
Hoxha nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook” ka pyetur nëse qeveria në detyrë ka bërë verifikimin e orarit të lëvizjes së qytetarëve në shesh.
Më tutje, ai ka thënë se këto veprime të qeverisë Kurti janë produkt i panikut dhe frikës.
Postimi i plotë i Hoxhës:
Qeveria Kurti si duket e ka kuptuar të drejtën kushtetuese dhe vendimin e këtij institucioni, andaj nga paniku ka nxitur dhe ka lejuar në kohë pandemie të organizohen parada simulimi të protestave me 500 veta duke paralajmëruar edhe simulime të tjera me 1 500 veta.
Kjo qeveri në ikje, a e ka bërë verifikimin e këtyre 500 personave nëse orari i tyre i lëvizjes ka qenë koha kur ata ishin në shesh?
Me këtë nënkuptojmë qe kjo qeveri ka keqpërdorur pushtetin duke i privilegjuar aktivistet e LV-së, ndërsa në anën tjetër i mohohet e drejta bujqve të cilët me djersën e tyre sigurojnë mirëqenien e familjeve të tyre, siç është rasti kur u.d ministri i Punëve të Brendshme jep urdhër që të mbyllet tregu i produkteve të gatshme në Rahovec, pavarësisht qe të njëjtit kishin respektuar rregullat.
Veprimet e turpshme të qeverisë Kurti janë produkt i panikut dhe frikës të cilat veprime mohojnë të drejtën e barabartë të qytetarëve! (L.G/ Epoka e re)