Kurti dhe Vitia vizituan Klinikën Infektive

14 maj 2020 | 17:39

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan sot Klinikën Infektive, ku u pritën nga drejtoresha e Klinikës Infektive, dr. Sci. Lindita Ajazaj-Berisha, prof. Sali Ahemti, prof. Shemsedin Dreshaj, ass. dr. Sadije Namani dhe ekipi i mjekëve vullnetarë.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Kurti ka thënë se “nuk ka dyshim për punën e madhe e të mirë që kanë bërë infermierët e mjekët tanë kundër virusit Corona”.

“Kur sot flasim më të relaksuar për virusin, duhet të kuptojmë që kjo është e mundur edhe e sidomos falë këtij reparti”, ka thënë Kurti.

Momentalisht janë 11 të shtruar në këtë Klinikë ku dy prej tyre janë në gjendje më kritike, kurse tre të tjerë priten të lirohen.

“Numrin e stafit mjekësor në përgjithësi e kemi shumë herë më të vogël se vendet e tjera, por jemi prej vendeve që po e përballon më së miri këtë pandemi, kjo thuhet edhe nga analizat e matjet e shumë ekspertëve botëror. Ftojmë qytetarët që të respektojnë masat e ministrisë dhe t’i dëgjojnë këshillat e ekspertëve shëndetësor. Jemi shumë afër fitores kundër këtij virusi, mos të humbasim në fund, nga relaksimi e pakujdesia. Prandaj: qëndroni në shtëpi, qëndroni në distancë e qëndroni të pastër”, ka porositur kryeministri Kurti.

Ministri Vitia, gjithashtu ka përgëzuar stafin e Klinikës Infektive për punën që po bëjnë dhe vullnetarët për kontributin e tyre, duke i siguruar se MSh-ja do të mbështes që ata të jenë të mbrojtur gjatë punës së tyre në trajtimin e të prekurve nga Covid-19.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për vetëm një muaj në Kosovë janë pickuar mbi 300…