Bie niveli i ujit në Liqenin e Badovcit, rrezikohet furnizimi 24 orë me ujë

14 maj 2020 | 18:36

Liqeni i Badovcit ka nisur të shterojë si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike. Niveli i ujit, ka rënë në minus 10.2 metra nga kuota normale.

Sokol Xhafa, ushtrues detyre i kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët e Kosovës të cilët furnizohen me ujë të pijshëm nga Liqeni i Badovcit rrezikohen që gjatë muajve korrik e tutje të mos furnizohen 24 orë me ujë.

Mbi 600 mijë banorë, sipas autoriteteve, furnizohem me ujë nga Liqeni i Batllavës dhe Badovcit.

“Gjendja në Liqenin e Badovcit është e rëndë. Po, furnizojmë konsumatorët me ujë si shkak i pandemisë, por situatën e kemi në nivel alarmant. Asnjëherë niveli i ujit nuk ka qenë më i ulët se tani. Ky nivel i ujit nuk garanton furnzim të qëndrueshëm për muajin korrik dhe tutje”, tha ai.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.

Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batllava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë, dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë…