Thaçi duhet të japë përgjegjësi për akuzat ndaj Vetëvendosjes

16 maj 2020 | 09:23

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë dje, në konferencën për media mbajtur në oborrin e Kuvendit e të Presidencës, se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duhet të përgjigjen për  humbjen e jetës së të riut Agon Musliu në Qendrën e Studentëve.

Pas akuzave të tij, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se Thaçi duhet të japë përgjegjësi për këto akuza drejtuar Vetëvendosjes. “Mënyra si po shprehet presidenti në publik është e papranueshme. Duhet të jetë racional dhe i kujdesshëm. VV është partia e vetme në vend që ia prish planet Thaçit. Edhe sot në konferencë për media  ka thënë tri të pavërteta, duke e akuzuar VV-në. Ne do të shqyrtojmë mundësinë edhe me organet e drejtësisë që ta paraqesim rastin. Ai duhet të japë përgjegjësi. Nuk janë vetëm fjalë, janë akuza të mëdha”, ka thënë Pacolli.

Ajo në Edicionin Special në Klan Kosova ka thënë se kërkojnë nga Thaçi të jetë i kujdesshëm dhe jo ta përdorë këtë rast për interesat e tij personale. “Kjo sjellje është e papranueshme edhe për familjen e të ndjerit. Nuk është e dinjitetshme ta përdorë tragjedinë që ka ndodhur. Presidenti duhet të jetë i matur dhe do të mbajë përgjegjësi për fjalët që po i thotë. S’ka sinjal që e ka nxitur dikush drejt vetëvrasjes të ndjerin Agon Musliun. Presidenti po flet në mënyrë të qëllimshme, për ta keqpërdorur rastin tragjik dhe po e akuzon VV në mënyrë të papranueshme. Do ta shohim mundësinë që ta dërgojmë këtë çështje në organet kompetente”, ka thënë ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hapja e xhamive nuk do të jetë në listën e…