Haxhiu thotë se gjyqtarëve në Kushtetuese po u bëhet presion për të marrë vendim në favor të Thaçit

16 maj 2020 | 12:51

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, po iu bëhet presion i vazhdueshëm për të marrë vendim në favor të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për kryeministër nga LDK-ja.

Haxhiu në një intervistë për “Kosovapress” ka thënë se ndonëse ka pasur deklarata për animin partiak të gjyqtarëve të Kushtetueses, është momenti i fundit i tyre për t’i kthyer dinjitetin Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse Gjykata Kushtetuese nuk është në krye të detyrës, dhe ndikohet nga presionet që mund t’i shkojnë, e që kemi dëgjuar se ka shumë presione që po i bëhen gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Atëherë natyrisht i humbet kuptimi që të ketë Gjykatë Kushtetuese, ku nga kjo gjykatë mund të dalin vendime që merren pas një presioni nga dikush”, ka thënë Haxhiu.

Më tutje, Haxhiu është shprehur se është bindur se argumentet juridike për çështjen e mandatarit qëndrojnë në anën e tyre.

“Është koha e fundit kur Gjykatës Kushtetuese duhet t’i kthehet dinjiteti, por edhe integriteti sepse jo rrallë herë nga kjo gjykatë kanë dal vendime aspak kushtetuese… E di që ka pasur shumë deklarata se ku kanë qenë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, çfarë subjekte politike. Unë po them edhe një herë që kjo lëndë që Gjykata Kushtetuese ka para vetës është një ndër lëndët më të rëndësishme që është përballur ndonjëherë. Ka ndikim jashtëzakonisht shumë ndikim afatgjatë”, është shprehur Haxhiu.

Sa i përket 100 ditëshit në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Haxhiu, ka thënë se ka arritur suksese të mëdha. Sipas saj, inicimi i Ligjit për vettingut dhe ai për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme janë ndër to.

Haxhiu për “Kosovapress” ka folur edhe për rastin Astrit Dehari, duke thënë se në muajin qershor përfaqësues të institutit zviceran do të vijnë në Kosovë, për të bashkëpunuar me prokurorinë dhe zbardhur rastin e tij.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka…