Shefi i EULEX-it: Fobia dhe urrejtja nuk kanë vend në asnjë shoqëri

17 maj 2020 | 12:26

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, shefi i EULEX-it,  Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se fobitë dhe urrejtja nuk kanë vend në asnjë shoqëri.

“Gjatë viteve të fundit Kosova ka shënuar progres ligjor për të drejtat e personave Lesbikë, Homoseksualë, Biseksualë, Transgjinorë dhe Interseksualë (LGBTI), duke përfshirë dy vendime të rëndësishme në fushën e regjistrimit civil për personat transgjinorë. Megjithatë, ne do të donim të shihnim një zbatim adekuat dhe konsekuent të dispozitave përkatëse ligjore, si dhe të drejta civile më të gjera për komunitetin LGBTI të Kosovës”.

“Fobitë, diskriminimi, paragjykimi dhe urrejtja nuk kanë vend në shoqëritë tona. Në Kosovë dhe në të gjithë BE-në, autoritetet duhet t’i rrisin angazhimet e tyre për ta promovuar gëzimin e plotë të drejtave të njeriut nga personat LGBTI. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, pa marrë parasysh orientimin seksual, identitetin gjinor ose karakteristikat e seksit”, ka thënë Wigemark.

Sa i përket ndikimit të epidemisë me koronavirus tek personat LGBTI, shefi i EULEX-it ka theksuar se pabarazitë dhe diskriminimi paraprak mund të thellohet, pasi këta persona mund të përfundojnë të mbyllur në një mjedis armiqësor për shkak të kufizimeve për të qëndruar në shtëpi, duke e rritur kështu ekspozimin e tyre ndaj llojeve të ndryshme të dhunës.

“EULEX-i do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për t’i avancuar të drejtat e njeriut të njerëzve me orientim seksual dhe identitet gjinor të ndryshëm, për t’i mbrojtur njerëzit LGBTI nga të gjitha format e dhunës dhe diskriminimit, për ta ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse të bazuar në vlerat e barazisë dhe tolerancës, dhe për të siguruar qasje të barabartë në drejtësi”, ka njoftuar EULEX-i.

Sipas këtij njoftimi, EULEX-i nga 17 maji shënon Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, ku ky mision valëvit flamurin me ngjyrat e ylberit në selinë e tij në Prishtinë për ta treguar përkrahjen e tij dhe për të bërë thirrje për barazi, drejtësi dhe përfshirje për të gjithë njerëzit pa marrë parasysh orientimin e tyre seksual, identitetin gjinor apo karakteristikat e seksit. (L.G/ Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demokratët në Kongres të shtunën kanë nisur një hetim për…