120 karroca në shesh, kërkohet të respektohen të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

18 maj 2020 | 13:12

120 karroca janë vendosur sot në sheshin “Skënderbeu”, e mesazhi i këtij instilacioni është që duhet të bëhet më shumë në respektimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Numri i karrocave është zgjedhur të jetë sa numri i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të deputetët të kenë parasysh të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ky instilacion është bërë nga Zyra e UNICEF -it në Kosovë dhe nga “Handikos”-i.

Rijad Mehmeti, 16-vjeçar ka kërkuar që institucionet e vendit të bëjnë më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Mesazhi i këtij aktiviteti është i qartë që edhe ne të jemi sa më të barabartë me të tjerët. Sa bëjnë institucionet për neve kisha thënë që nuk është mjaftueshëm, munden edhe më mirë që me qenë ne të barabartë, si për shembull qasja fizike, sepse qasja fizike është pikërisht një ndër shkaqet më të mëdha e cila ua ka pamundësuar fëmijëve me aftësi të kufizuara me lëvizë lirshëm”,ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i “Handikos”-i, Afrim Maliqi, ka thënë se përmes këtij instilacioni kanë dashur të dërgojnë mesazhin tek 120 deputetët që të bëjnë më shumë për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, raporton “Kosovapress”.

Më tutje, Maliqi ka thënë se në bazë të një hulumtimi që kanë bërë ka dalë se Kosova i përmbush vetëm 30 për qind të standardeve që kanë të bëjnë me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në raport me legjislacionin evropian.

Sa i përket qasjes, ai ka thënë se janë të plotësuara vetëm 6.7 për qind të standardeve. Kjo sipas tij, tregon se sa janë të diskriminuar personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Në anën tjetër, zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovë, Dren Rexha, ka thënë se përmes këtij instilacioni dëshirojnë të përçojnë mesazhin që është koha e fundit që të realizohen të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ndryshe, këto karroca do të qëndrojnë për një javë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha ka komentuar barazimin me Paderbonin,…