Kurti tregon se çfarë bisedoi me Lajçakun

18 maj 2020 | 17:59

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Siç njofton zyra për informim e kryeministrit, Kurti me Lajçakun ka biseduar për situatën me pandeminë Covid-19 në Kosovë.

“Mes tjerash, u diskutua për kalimin në fazën e dytë të lirimit gradual të masave, dhe rezultatet e fundit në menaxhimin e Covid-19 sipas të cilave numri i të shëruarve është 3-fish më i lartë së numri i rasteve aktive. Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri në detyrë z. Kurti përsëriti përkushtimin e tij për një dialog me parime, të përgatitur mirë ku e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes dhe ku qytetarët janë përfitues të saj. Me këtë rast, z. Kurti e falënderoi z. Lajçak për qëndrimin e tij kundër idesë për shkëmbimin e territoreve, ide që nuk ka as mbështetje rajonale”.

“Kryeministri në detyrë po ashtu parashtroi kërkesën dhe nevojën për një vendim sa më të shpejtë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, bëhet me dije në njoftimin për media.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jose Mourinho, trajneri portugez i Tottenhamit, ka gjetur alternativën për…