![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/05/m-5-600x360-1.png)
Qendra e Studentëve, një karantinë e keqmenaxhueshme
Pas rasteve të para të të infektuarve me koronavirus në Kosovë, institucionet e vendit nisën organizimin për të gjetur një vend ku do të mund të karantinoheshin njerëzit të cilët hyjnë në Kosovë nga shtetet e tjera.
Qeveria e Kosovës, në koordinim me ministritë përkatëse, për menaxhimin e situatës me koronavirus vendosën që Qendra e Studentëve në Prishtinë të shndërrohej në karantinë, shkruan lajmi.net. Kjo edhe ndodhi, por që nga dita e parë – kjo karantinë u përcoll me parregullsi, ankesa nga të karantinuarit, mosrespektim të rregullave e deri në vdekjen e një personi.
Fillimisht, në ditët e para të karantinës kishte ankesa nga të karantinuarit lidhur me kushtet të cilat ishin në Qendrën e Studentëve, lidhur me ushqimin që shërbehej në një vend të mbyllur për të gjithë së bashku e të ngjashme.
Në Qendrën e Studentëve nuk u respektuan aspak rregullat e karantinimit, ato të distancës sociale dhe rregulla të tjera ndaluese që janë hartuar për ta trajtuar situatën e krijuar me koronavirus.
Aty u improvizuan edhe mbrëmje muzikore me këngë e me valle ku të karantinuarit “e largonin monotoninë e izolimit”, së bashku.
E në Qendrën e Studentëve nuk munguan as incidentet.
Në fillim të prillit, të karantinuarit, të pakënaqur me kushtet, me mungesën e testeve, në konviktin numër 3 ndodhi një përleshje mes të karantinuarve.
Problem tjetër lidhur me këtë ishte edhe lirimi i njerëzve nga karantina në mënyrë të parregullt e moskarantinimi i disa të tjerëve.
Opozita e kritikoi dhe akuzoi qeverinë se po i liron nga karantina njerëzit me lidhje politike.
Partia Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media, përmendi edhe njerëz me iniciale të cilët kanë lidhje me politikën dhe janë liruar nga karantina.
“Personi me inicialet B.H. është liruar nga detyrimi i karantinimit meqë atij është falsifikuar mosha qëllimisht në listat e udhëtarëve të riatdhesuar duke u shënuar si 70 vjeçar, përderisa ai në të vërtetë është 35 vjeçar. Po ashtu, dyshohet se personi me inicialet SH.S, vajza e një biznesmeni të njohur, i cili besohet se është mbështetës e financues i Vetëvendosjes, nuk është mbajtur fare në karantinë, siç pretendohet, për shkak të lidhjeve dhe intervenimit të tij. Një tjetër qytetar i moshës së mesme, me inicialet K.D. i ardhur nga Gjermania javën e kaluar, është liruar falë lidhjeve dhe nuk ka qëndruar në karantinë”, ka thënë deputetja e PDK-së, Valdete Idrizi.
Përveç këtyre problemeve, në Qendrën e Studentëve ka ndodhur edhe një rast tragjik i vdekjes, ku një 26 vjeçar nga Gjilani bëri vetëvrasje.
Agon Musliu, 26 vjeç, i cili ishte kthyer nga Gjermania, e kishte të pamundur t’i shpëtonte karantinimit, ani pse këtë ia kishin rekomanduar edhe mjekët në Gjermani. Babai i Agon Musliut ka prezantuar dokumente të cilat dëshmonin se gjendja shëndetësore e të birit të tij tashmë të ndjerë nuk ishte e mirë. I njëjti ka treguar tregon se i biri kishte treguar shqetësim, mërzi e nervozë gjatë qëndrimit të tij në karantinë në Qendrën e Studentëve. Madje Musliu kishte kërkuar psikolog në karantinë në ditën kur edhe ka kryer vetëvrasje.
E pas vdekjes, Musliu ishte testuar për koronavirus dhe kishte rezultuar negativ.
Opozita ka fajësuar qeverinë për keqmenaxhim të karantinës dhe e ka bërë fajtore qeverinë për vdekjen e 26-vjeçarit nga Gjilani.
E pas lehtësimit të masave që kanë filluar nga dje (18 maj), studentët u lejuan që të shkonin t’i merrnin gjërat e tyre të mbetura nëpër dollapët e dhomave të konvikteve.
Por, shumë prej tyre kur shkuan në dhoma nuk i gjetën sendet me vlerë të cilat iu kishin mbetur atje. Madje atyre ua kishin shkatërruar edhe kasat e kursimeve, duke iu marrë kështu çdo gjë me vlerë që kishin.
Lidhur me karantinën në Qendrën e Studentëve, ka pasur pakënaqësi e vazhdon të ketë ende dhe nuk dihet se deri kur ky objekt i shfrytëzuar nga studentët do të shërbejë si vend karantine për shkak të situatës me koronavirus.