Kurti: Pasi të bëhet evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve, popullit punëtor i japim ndihmë

21 maj 2020 | 11:00

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas vizitës që u ka bërë sot disa fshatra të komunës së Suharekës, bujqit e së cilës janë dëmtuar nga breshëri në dy ditët e fundit, ka vizituar edhe Komunën e Mamushës. Kurti është takuar me kryetarin e kësaj komune dhe ka vizituar disa prej fermerëve që kanë pësuar dëme pas reshjeve.

Kryeministri në detyrë ka thënë se buqëve duhet t’i dilet në ndihmë sepse ata janë kontribuues në buxhetin e shtetit. Mes të tjerash, Kurti ka thënë se dëmet do të rishikohen nga një komision që do ta bëjë evidentimin e tyre. “Gjendemi në Mamushë së bashku me ministrin e Bujqësisë. U pritëm nga pronari i kësaj sere që është një hektar. Po e shohim vetë dëmin e madh. Ne biseduam me një plak 70-vjeçar dhe ai tha se në jetën e tij nuk ka parë të bie breshër kështu. Popullit punëtor të Nëpërbishtit dhe të Mamushës ne duhet t’i ndihmojmë sepse ata kontribuojnë në buxhetin e shtetit. Ekziston edhe buxheti i ndarë për Ministrinë e Bujqësisë dhe duhet të bëhet evidentimi i dëmeve me një komision, pastaj të bëhet vlerësimi i tyre. Kur sheh një prodhimtari të madhe natyrisht që shteti, qeveria dhe shoqëria jonë do të duhej t’i ndihmojmë edhe kur nuk kanë nevojë”, ka thënë Kurti.

Edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka thënë se do t’u dalin në ndihmë bujqve. Ai ka dhënë sqarime edhe sa i përket ndarjes së subvencioneve për bujqit, raporton EO. “Ne si ministri do të jemi të përkushtuar që t’i përkrahim bujqit tanë edhe në këtë situatë emergjente. Unë kam gjetur një borxh në subvencione me 25 milionë euro dhe gjithë detyrimet me subvencione javën e kaluar kanë përfunduar. Po ashtu, kemi sfida teknike sepse fermerët nuk kanë arritur t’i përfundojnë punimet dhe që të jenë përfitues të granteve, mirëpo kam nxjerrë një vendim që afati kohor të shtyhet deri pas kalimit të pandemisë. Të gjitha grantet dhe detyrimet do të paguhen”, ka thënë Mustafa.

Abdylhadi Krasniqi, kryetar i Komunës së Mamushës, ka treguar se dëmet e serave janë rreth 3.5 milionë euro, prandaj ka kërkuar ndihmën e qeverisë, raporton Ekonomia Online. “Falënderoj qeverinë për mbështetjen. Më herët nuk kemi parë kësi breshëri dhe po shpresojmë se qeveria do të na dalë në ndihmë. Vetëm në najlon janë shkaktuar dëme diku 3.5 milionë euro”, ka treguar Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben…