LV-ja s’do ta respektojë vendimin e Kushtetueses nëse dallon nga ai për VLAN-in

27 maj 2020 | 09:08

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, është i bindur se vendimi për dekretin e presidentit duhet të jetë i njëjtë me atë që gjykata kishte marrë në kohën e VLAN-it në vitin 2014.

“Një rast të tillë, pra të Gjykatës Kushtetuese, e kemi pasur në kohën e LAN-it, përkatësisht VLAN-it, pak më vonë kur Gjykata Kushtetuese pati thënë decidivisht që subjekti i parë, fitues relativ, e fiton kryetarin e Kuvendit dhe ka të drejtë ta formojë qeverinë.

Ne si Lëvizje Vetëvendosje presim që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendosë në raport me atë se çfarë ka vendosur më parë. Do të thotë që Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën që ta bëjë qeverinë. Në ndërkohë, ne kemi insistuar në zgjedhje për shkak që kemi pasur mocion i cili e ka rrëzuar qeverinë. Në momentin kur një mocion e rrëzon qeverinë, atëherë vendi ynë duhet të shkojë në zgjedhje. Kemi shembuj kur presidenti e ka dërguar vendin menjëherë në zgjedhje.

Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta rithotë fjalën e vet të cilën e ka thënë në kohën e VLAN-it, pra ta thotë vendimin e vet jo në favor tonin, por atë që e ka thënë dhe është e pakthyeshme më”, ka thënë Rexhaj.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka insistuar që Gjykata Kushtetuese duhet ta rithotë vendimin që e kishte marrë në kohën e VLAN-it pasi, sipas tij, në të kundërtën bie në kundërshtim me veten. “Në rastin e VLAN-it Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur në favorin tonë. Atëbotë PDK-ja pati dalë e para në zgjedhje, derisa ne kishim krijuar një bllok. Gjykata Kushtetuese pati thënë se qeverinë duhet ta bëjë PDK-ja. LDK-ja me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar vetë këtë bllok shkoi në koalicion me PDK-në.

Kemi vendim që është i ngjashëm 100 për qind me këtë që e kemi. Çfarëdo vendimi tjetër i Gjykatës Kushtetuese bie në kundërshtim me vetë vendimin e atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do të duhej që ta ritheksonte vendimin”, ka shprehur mendimin Rexhaj.

Ai ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese kur ka konstatuar vetë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta japë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë. “Presidenti [Hashim Thaçi] kur na dërgonte letra që t’ia dërgonim mandatarin sa më shpejt, së pari kalonte nëpër media dhe më pas vinte te ne. Këto letra për mandatim të LDK-së nuk i kemi parë gjëkundi, sepse ka konsideruar se po të dalin në publik mund t’i dërgonim në Gjykatën Kushtetuese për ankesë.

Askund në Kushtetutën e Kosovës nuk përcaktohen afatet kushtetuese se kur Lëvizja Vetëvendosje e dërgon emrin e mandatarit te presidenti si periudhë kohore. Në këtë rast presidenti nuk mund të paragjykojë dhe as analizojë nëse Lëvizja Vetëvendosje e dërgon emrin ose jo. Ne kemi pasur përgjigje ndaj presidentit ku i kemi thënë se do të përgjigjemi me kohë, derisa ai kokë më vete ka konkluduar se ne nuk do t’ia dërgojmë emrin. Këtu e ka bërë shkeljen e parë kushtetuese”, ka thënë Rexhaj.

Por, a do ta pranojë Lëvizja Vetëvendosje vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Rexhaj është përgjigjur: “Kushtetuta e përcakton veprimin e krijimit të qeverisë. Kushtetuta e Kosovës tashmë ka dhënë një vendim. Nëse Gjykata Kushtetuese del me një vendim tjetër, atëherë bie ndesh me vendimin e mëparshëm. Atëbotë ne e patëm pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe pse nuk ka qenë në interesin tonë politik”.

“Ndërsa tash nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim tjetër me të cilin nuk e respekton as vendimin e vet, normalisht që Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta respektojë. Nuk do ta pranojë vendimin, sepse një vendim i tillë do të ishte shkelje e vet Kushtetutës. Është mendimi im personal, por besoj se kështu mendojnë edhe disa nga Lëvizja Vetëvendosje. Do të mbahet një mbledhje e kryesisë dhe do të merret një vendim i qartë, por unë insistoj që të mos pranohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese që bie ndesh me vendimet e veta. Tash po krijohet një precedent tjetër. Fituesi i zgjedhjeve nuk konsiderohet më ai i cili duhet ta formojë qeverinë, pra mund ta formojë qeverinë i pesti, i treti, i shtati, por jo i pari”, ka shprehur mendimin Rexhaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autor: Felix Schlagwein Viktor Orbáni e ka shpallur sponsorin e…