Ministrja Bajrami e njofton Auditorin e Përgjithshëm për projektet e MAShTI-t

27 maj 2020 | 16:02

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka pritur sot në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani.

Ministrja Bajrami e ka njoftuar Osmanin me aktivitetet dhe projektet e MAShTI-t të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë.

Ajo ka folur për procesin e realizimit të mësimit në distancë në këtë periudhë pandemie, si dhe për projektet e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi.

Ministrja ka vlerësuar rëndësinë e menaxhimit të mirë të financave publike dhe qeverisjes transparente duke shprehur zotimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Kombëtare të Auditimit në arritjen e këtyre objektivave.

Ndërkaq Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka folur për rëndësinë që ka aspekti i menaxhimit dhe kontrollit të financave publike në funksion të përmirësimit të qeverisjes.

Ai ka theksuar se përmbushja e rekomandimeve të ZKA-së, kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës financiare dhe qeverisjes së mirë dhe ka falënderuar ministren për gatishmërinë dhe angazhimin e saj në këtë drejtim.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Plani i rimëkëmbjes nga koronavirusi prej 750 miliardë eurosh, i…