Qytetarët nga sot me orar të ri të lëvizjes

28 maj 2020 | 07:26

Prej orës 5:00 të mëngjesit të sotëm ka ndryshuar orari i lëvizjes për qytetarët.

Qytetarët tanimë kanë të drejtë të lëvizin pa asnjë kufizim për 16 orë në ditë, nga ora 5:00 deri në orën 21:00.

Po ashtu me vendimin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nga sot do të hapen edhe objektet fetare në vend, raporton “Epoka e re”.

“Nga data 28 maj orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes. Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet karantina në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit dhe më gjerë. Nga kjo mund ta kuptoni se ndër masat lehtësuese janë edhe ato për fillimin e hapjes së objekteve fetare, të cilat do të hapen këtë të enjte, pra me 28 maj”, ka deklaruar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai ka shtuar se në fazën e tretë, e cila fillon më 1 qershor, në përputhje me situatën epidemiologjike, parashihen masa të reja lehtësuese të cilat do të çlirojnë edhe më shumë ekonominë.

Qytetarët deri më sot kanë pasur të drejt të lëvizin nga katër orë në ditë, dy orë paradite dhe dy orë pasdite.

Deri sot në Kosovë janë të infektuar me koronavirus 1 048 persona, 801 janë shëruar, ndërkaq 30 të tjerë kanë vdekur.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka thënë se vendimi për…