Ymeri: Nëse qeveritarët u futën në dhomën e përgjimeve në Telekom duhet të ndiqen penalisht

28 maj 2020 | 13:45

Deklarata e presidentit Hashim Thaçi se kryeministri në detyrë Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, kanë qëndruar për tri ditë në dhomën e përgjimeve në PTK, pa vendim të prokurorit, ka ngjallur reagime të shumta nga akterë të ndryshëm politikë.

Ish-deputeti nga PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se e presidenti Thaçi dhe Kurti janë në një luftë politike, dhe si rrjedhojë e kësaj nuk mund t’i marrë si të vërteta deklarimet e tij.

“E kam të vështirë ta marrë për të vërtetë cilindo deklarim të presidentit në këtë luftë të dëmshme politike të tij me Kryeministrin. Shumë prej atyre akuzave të hedhura kuturu mbrëmë nga Presidenti nuk kanë kurrfarë baze. Prej akuzës për Astrit Deharin e deri të huqja totale, e qëllimshme, për familjarët e Albulena Haxhiut”, ka thënë Ymeri.

Më tutje, Ymeri ka adresuar kritika të mëdha ndaj të dy krerëve shtetërorë e që sipas tij, kjo sjellje e tyre nuk kontribuon në të mirën e vendit.

“Skena politike e opinioni publik në përditshmëri po helmohen e terrorizohen nga kacagjelosja Thaçi- Kurti, dhe kjo po e dëmton rëndë aktualitetin e potencialitetin institucional të Kosovës si dhe po e rrezikon sigurinë e vendit. Jemi në një situatë shumë delikate në procesin e shtetndërtimit, të demokracisë e rendit publik. Sjellja e tillë e dy krerëve shtetëror po e rëndon edhe më shumë këtë situatë”, është shprehur Ymeri.

Ymeri ka vlerësuar se organet e drejtësisë duhet ta trajtojnë si rast me urgjencë dhe me seriozitet shkuarjen eventuale të Kurtit, Sveçlës dhe Abzit në dhomën e përgjimeve pa pëlqim të prokurorit.

Në këtë kontekst, Ymeri ka thënë se kjo çështje duhet të kalojë në heshtje.

“Prandaj çështja e ndërhyrjes eventuale në njësitin e përgjimeve të kryeministrit Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Abazi dhe u.d. ministrin Sveçla, duhet hetuar nga organet e drejtësisë me urgjencë dhe me seriozitet. Në bazë të këtij hetimi pastaj të merren masat karshi fajtorëve. Nëse këta vërtetë kanë ndërhyrë atëherë duhet të ndiqen penalisht, përveç se të përgjigjen politikisht. Kjo do të kishte me qenë ndërhyrje serioze arbitrare e ekzekutivit në çështje të gjyqësorit si dhe në privatësinë e sigurinë e qytetarëve. Nëse del të jetë e pavërtetë, atëherë presidenti duhet të përgjigjet për shpifjen, përveç se politikisht, edhe para gjyqit. Një gjë e tillë nuk guxon në asnjë mënyrë të kalojë në heshtje. Si shtet e veçanërisht si shoqëri nuk guxojmë në asnjë mënyrë të lejojmë që një sjellje e tillë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e zyrtarëve shtetëror të na bëhet normale”, është shprehur Ymeri.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot gjatë ditës ka mohuar të ketë shkuar në dhomën e përgjimeve. Ai, deklaratat e presidentit i ka quajtur “gënjeshtra dhe shpifje”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka bërë një…