Daçiqi i jep një kundërpërgjigje Kurtit: S’ka dialog pa heqjen e reciprocitetit

31 maj 2020 | 09:55

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke komentuar vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës në detyrë, përmes të cilit ndalohet hyrja në Kosovë për mallrat nga Serbia të cilat nuk e kanë të shënuar në dokumente “Republika e Kosovës”, ka thënë se kjo është e papranueshëm për Serbinë.

Shefi i diplomacisë serbe, duke folur sot në televizionin publik serb RTS, tha se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun derisa këto masa të shfuqizohen.

Daçiqi vlerëson se ndalimi i hyrjes së mallrave nga Serbia pa dokumente ku shkruan destinimi “Republika e Kosovës”, është masë më e keqe sesa ishte taksa prej 100 përqindësh për mallrat serbe. “Këto janë masa të reciprocitetit që, ndoshta, as qytetarët e Serbisë dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk e njohën si masë edhe më të keqe sesa taksa, e cila dyfishoi çmimin e mallrave, por që të paktën kalonte. Kjo qeveri në Prishtinë mori vendim të aplikojë masa reciprociteti, që nga disa vende u përshëndet si një hap përpara. Ne menjëherë thamë se kjo është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm serb, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, me pranimin e këtyre masave Serbia do ta njihte Kosovën. “Ne nuk kemi ndërmend ta vazhdojmë dialogun derisa të hiqen taksa dhe reciprociteti. Kjo është e papranueshme për ne dhe mohim i të gjitha marrëveshjeve. Me të drejtë presim reagim nga bashkësia ndërkombëtare. Richard Grenelli reagoi ndaj kësaj edhe më herët dhe tha se aplikimi i reciprocitetit është anashkalimii heqjes së taksës”, tha ai. Sipas tij, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës tani është në “respirator”.

“Dialogu është në fazën kur nuk ekziston dhe në tërë këtë situatë faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë u përpoqën t’i japin frymëmarrje artificiale dialogut, Merkel, Macron. Qasja e administratës amerikane është e ndryshme nga qasja e Bidenit dhe Hillary Clintonit”, tha ministri i Jashtëm serb.

Duke komentuar qeverinë e re që duhet të formohet në Prishtinë, Daçiqi tha se këto janë gjëra në të cilat Serbia nuk mund as nuk dëshiron të ndikojë. “Cilado qeveri [e Kosovës] duhet të deklarohet nëse t’iu përmbahet apo jo të gjitha marrëveshjeve. Ata janë të gjithë të njëjtë”, thotë ai.

“Ata duan pavarësinë e Kosovës, ata duan që Serbia ta pranojë atë dhe ky nuk është një dialog dhe ne nuk e pranojmë atë. Ata nuk i kuptojnë ndryshimet që kanë ndodhur. Ata presin që komuniteti ndërkombëtar t’u sjellë atyre gjithçka që presin”, tha ministri i Jashtëm.

Shefi i diplomacisë serbe thotë se “Prishtina po sillet si një fëmijë i përkëdhelur, i cili është mësuar që bashkësia ndërkombëtare t’ia përmbushë të gjitha dëshirat e mundshme”. “Sot nuk është më ashtu. Dhe kjo varet nga ajo se sa e fortë, e qëndrueshme dhe e bashkuar do të jetë Serbia. Pozicioni ynë është jashtëzakonisht i fortë. Nuk ka asnjë bisedë derisa të shfuqizohen masat e reciprocitetit. Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Ajo dëshiron dialog, kompromis. Nëse ata mendojnë se kompromis është që Serbia ta njohë Kosovën, kjo nuk ndodhë”, tha Daçiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë ka grumbulluar 10,000 dollarë për të ndihmuar në…