Banka Botërore: Rreth 90 për qind e bizneseve në Kosovë u preken nga pandemia COVID-19

02 qershor 2020 | 11:14

Banka Botërore (BB) ka theksuar se goditjen më të madhe gjatë pandemisë në Kosovë, e kanë marrë punëmarrësit e sektorit privat me 88 për qind, të cilët pavarësisht nga paketat e mbështetjes shtetërore, bizneset e të gjitha ekonomive po pësojnë humbje, çka rrezikon operacionet dhe aftësinë e tyre paguese.

Në raportin “Tregjet e punës të Ballkanit Perëndimor nën krizën COVID-19”, të publikuar nga Banka Botërore, është theksuar se kufizimet mbi lëvizjen dhe mbajtja e distancës sociale kanë cenuar ofertën dhe kërkesën e krahut të punës, transportin dhe udhëtimet në mënyrë të paprecedentë.

Raporti ka rikujtuar se janë mbyllur sektorë të tërë të ekonomive kombëtare: hoteleri-restorantet, tregtia jo e domosdoshme me pakicë, turizmi, transporti dhe një pjesë e mirë e prodhimit dhe pavarësisht nga paketat e mbështetjes shtetërore, bizneset e të gjitha ekonomive po pësojnë humbje, çka rrezikon operacionet dhe aftësinë e tyre paguese. Më të prekura sipas BB-së, janë firmat e vogla dhe të mesme, si edhe bizneset joformale.

BB-ja ka theksuar se në fund të vitit, Kosova kishte rritjen më të madhe të numrit të personave të punësuar: 6.7 për qind në normë vjetore.

Banka Botërore ka thënë se në dy vitet e fundit në Kosovë dhe në Malin e Zi, pagat janë rritur me mbi 2 për qind. Megjithëse Kosova është vendi me rritjen më të madhe të punësimit, ka ende një sasi të madhe fuqie punëtore të pashfrytëzuar ende.

Në vitin 2019 norma e papunësisë ra në 13.4 për qind, 2.3 pikë përqindjeje më pak se në 2018, ku në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut ra me 3.5 pikë përqindjeje. Por, kur filloi kriza, thuajse një e dyta e popullatës së rajonit në moshë pune qe jo aktive. Në Kosovë, pasiviteti qe rritur madje përpara krizës: 70 për qind të kosovarëve kriza i gjeti pa punë. Megjithëse Kosova është ende shumë mbrapa, sukseset e parë e kanë rritur shkallën e pjesëmarrjes së femrave në mbi 22 për qind të grave në moshë pune.

Derisa përmend të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimore, në raport është thënë se shoqëritë tregtare kanë kaluar me shpejtësi drejt masave mbrojtëse: kanë ndryshuar orarin e punës, kanë bërë shkurtime të përkohshme të orëve të punës, kanë detyruar punonjësit të marrin lejen vjetore, leje pa të drejtë rroge dhe ka pasur edhe shkurtime të vendeve të punës për të përballuar rënien e operacioneve apo madje edhe mbylljen e detyruar.

Kurse, sa i përket Kosovës, Banka Botërore ka përmendur firmat që kanë regjistruar një numër shumë më e lartë punonjësish si rishtazi të papunë, çka tregon se mbështetja për punësim e cila u është dhënë punonjësve të sektorit formal në kuadër të paketës fiskale të qeverisë për situatën e jashtëzakonshme ka kontribuar në formalizmin e punëmarrësve.

Banka Botërore ka theksuar se një shoqatë biznesi në Kosovë ka konstatuar se 84 për qind e firmave të anketuara ose qenë mbyllur plotësisht, ose punonin me kapacitet të reduktuar ose me orare të reduktuar pune, dhe rreth 29 për qind e kishin ulur numrin e punonjësve.

Në Kosovë, hendeku gjinor i cili ekzistonte më parë, sipas BB-së, tregon se vetëm 13 për qind e punonjësve të prekur do të jenë femra. (A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një serb ka raportuar se katër meshkuj të komunitetit rom…