Tahiri: Nëntë anëtarë të një familje janë infektuar me Covid-19 në Vushtrri
Pas testimeve të sotme, 15 raste të reja kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 në Vushtrri. Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri ka bërë më dije se prej tyre, 9 janë anëtarë të një familje.
“Është tepër vështirë me luftuar me një virus të padukshëm, kur brenda familjes s’ka kujdes dhe nga 1 i infektuar bëhen 9, 20 e 30 raste”, ka shkruar Tahiri në profilin e vet në “Facebook”.
Shkrimi i plotë i Tahirit në “Facebook”:
Ju lutemi, KUJDES!
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, sonte i kemi 15 raste të reja. Prej tyre, 9 anëtarë të njëjtës familje, 1 qytetar i infektuar në Prishtinë dhe të tjerat janë raste kontakti.
Është tepër vështirë me luftuar me një virus të padukshëm, kur brenda familjes s’ka kujdes dhe nga 1 i infektuar bëhen 9, 20 e 30 raste.
Çdo masë e kemi marrë e do ta marrim për të mbrojtur shëndetin, por nëse nuk na ndihmoni e nuk ruhemi secili, kjo është e pamundur.
(V.Z / Epoka e re)