Shkolla e muzikës nga shtatori edhe në Kamenicë

09 qershor 2020 | 16:45

Komuna e Kamenicës është pajtuar në parim për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me komunën e Gjilanit që dega e “Shkollës së Muzikës” në Gjilan të hapet dhe të funksionojë në Kamenicë.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arianit Ibrahimi kanë pritur në takim drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica dhe drejtorin e Shkollës së Muzikës në Gjilan, Kushtrim Jakupi.

Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati tha se është i lumtur që nxënësit të cilët dëshirojnë të ndjekin shkollën e muzikës së shpejti do ta kenë këtë mundësi ta bëjnë edhe në Kamenicë. “Nga shtatori do hapet dega e Shkollës së Muzikës në komunën tonë dhe të gjithë nxënësit nga Kamenica mësimin do e vijojnë këtu. Pos kësaj, regjistrimet e reja të nxënësve në drejtimin për muzikë do të bëhen në degën që do të hapet në Kamenicë. I lumtur që nxënësve tanë po u ofrojmë mundësi të tilla duke marrë parasysh shpenzimet e secilës familje për t’i dërguar fëmijët në Gjilan”, ka thënë ai.

U.d e DKA-së Mirhane Morina-Bislimi ka theksuar se pasi të nënshkruhet ky memorandum bashkëpunimi, nxënësit e Kamenicës nga shtatori do të  mund të ndjekin mësimet e muzikës në Kamenicë “Ky memorandum bashkëpunimi për shkak të specifikave ekonomike-sociale do t’i mundësojë nxënësve të komunës tonë të ndjekin mësimet në shkollën e muzikës më afër. Kjo është një gjë e mirë për ne sepse po punohet për të ardhmen e të rinjve tanë”, tha ajo.

Kurse drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Arianit Ibrahimi tha se me hapjen e kësaj talenti i nxënësve për muzikë do të zhvillohet më shumë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ambasadorja e…