Pas shtimit të rasteve, mblidhet Komiteti për vlerësimin e situatës emergjente me Covid-19

12 qershor 2020 | 17:57

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të premten se do të jetë vështirë të shkohet me lirimin e masave për veprimtari të tjera përderisa në veprimtaritë e lejuara përgjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes graduale nuk respektohen masat e marra nga qeveria e vendit dhe rekomandimet e IKSHPK-së.

“Disa veprimtari të tjera të parapara për t’u rivlerësuar në fazën e III-të duhet marrë më shumë kujdes, për shkak në njërën anë të presionit të madh që vjen prej tyre për t’u liruar, dhe në anën tjetër rrezikut të përhapjes së virusin, pasi që shumica prej tyre kanë të bëjnë me fluks të madh të qytetarëve që gravitojnë në to apo që janë pjesëmarrës dhe në veprimtaritë e lejuara respektimi i masave nuk po ndodh”, ka thënë ai në takimin e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me Covid-19, në të cilin u bisedua për situatën aktuale rreth pandemisë në Kosovë.

Ai ka theksuar se duhet vazhduar me një përcjellje aktive të situatës lidhur me Covid-19, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë të virusit dhe mbajtjes në kontroll të tij.

“Të vetëdijshëm për numrin në rritje të rasteve që kanë rezultuar pozitive në Covid-19 ditëve të fundit, jemi të obliguar që të ndërmarrim masa adekuate me qëllim që, ky numër të mos kthehet në ngarkesë për spitalet tona dhe personelin shëndetësor. Është më se evidente se lirimi i shumë veprimtarive përgjatë fazës së II-të dhe të III-të të hapjes graduale ka sjellë edhe shtimin e rasteve pozitive në Covid-19, por kësaj duket që i ka kontribuar edhe ulja e kujdesit nga vet qytetarët, por edhe moszbatimi adekuat i masave mbrojtëse nga ana e bizneseve dhe subjekteve, veprimtaritë e të cilave janë liruar”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga inspektoratet, që secili brenda fushëveprimtarisë së tij, të mbikëqyr dhe zbatojë masat e ndërmarra, në veçanti në sektorin e gastronomisë, ku mospërfillja e tyre është e theksuar.

Ministri Zemaj ka thënë se duhet analizuar edhe procesin në shkolla dhe institucione edukative, ndërkohë që kërkoi nga secili sektor, për fushën e veprimtarive së vet, që të që të jetë më shumë përgjegjës për implementimin e masave të marrë secili në fushën e tij si ne asistencë me udhëzues apo rekomandime, ashtu edhe me implementim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se MPB-ja do t’i respektojë dhe do të veprojë sipas të gjitha rekomandimeve që jep MSh dhe institucionet e tjera përgjegjëse në menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe bashkë me agjencionet e saj do të zbatojë masat.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani si kryes i grupit të përbashkët me MSh-në, i dorëzoi ministri Zemaj draft-manualin që do t’u shërbejë veprimtarive të lejuara dhe atyre që do të lirohen në të ardhmen me udhëzimet për parandalim dhe mbrojtja nga Covid-19 gjatë ushtrimit të veprimtarive.

(Faton Dërmaku / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka filluar tubimin e saj për nder të…