IKSHPK-ja rekomandon që të mbyllen institucionet ku ka raste pozitive me Covid19

13 qershor 2020 | 21:43

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës pas konfirmimit të 53 rasteve të reja me Covid-19, i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive me ketë virus.

IKSHPK-ja ka theksuar se kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, ka gjurmuar raste të reja të Covid-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e  organizatave publike, private, posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetëizolim dhe bartja e maskave është obligative”, thuhet në njoftimin e këtij Instituti.

Sipas IKSHPK-së, këto ditë vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë.

“Kjo është sjellje e rrrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të paparashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”.

“Si pasojë e mos baretjes së maskave qytetarë të nderuar ju po e rëndoni situatën epidemiologjike dhe po rrezikoni shëndetin e qytetarëve që po e mbajmë nën kontrollë me mund të madh të ekipit të epidemiologëve dhe mikrobiologëve të Institutit Kombëtar”, bëhet me dije në njoftimin e IKSHPK-së.

Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

“IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore kur ata rezultojnë pozitiv në SARS CoV-2, por qytetarët duhet ta marrin seriozisht apelin tonë për t’i zbatuar me përpikëri rekomandimet dhe bartjen e maskave në vende ku ka grumbuj njerëzish dhe nuk mund të mbahet distanca nën 2 m”.

“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave! Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!

Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm! Ju lutem të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!”, thuhet në këtë njoftim të IKSHPK-së.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar edhe…