Drenasi feston ditën e çlirimit

14 qershor 2020 | 15:17

Me rastin e shënimit të 21-vjetorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur një seancë solemne dhe janë bërë homazhe në të gjitha varrezat e dëshmorëve.

Fillimisht në Sallën e Kulturës, është mbajtur seanca solemne, ku kanë marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtarë të Kuvendit dhe drejtorë të drejtorive komunale. Seanca është udhëhequr nga kryesuesi Halilaj, i cili ka thënë 14 Qershori është një datë historike, ditë e cila na kujton shpresën për jetë e liri të kërkuar me shekuj.

Ndërsa nënkryetari Hasi, në fjalimin e tij në seancën solemne, ka thënë se Dita e Çlirimit, është data ku me nderim të thellë, kujtojnë gjithë sakrificën e jashtëzakonshme të qytetarëve të Drenasit, heronj, dëshmorët dhe martirët e lirisë, raporton “Epoka e re”.

“Sot kujtojmë heroizmin e familjes Jashari, luftën e shenjt çlirimtare të Komandantit Legjendar Adem Jashari e bashkëluftëtarëve të tij, kujtojmë masakrat mbi civilët në Qirez e Likoshan, Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë e Madhe, Has e masakra të tjera mbi popullin e pafajshëm e liridashës shqiptar”, ka thënë Hasi.

Pas përfundimit të seancës solemne, nënkryetari Nazmi Hasi, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtarë të Kuvendit dhe drejtorë të drejtorive komunale, kanë bërë homazhe në sheshin “Fehmi Lladrovci” pranë shtatoreve të heronjve, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Rasim Kiqina, Bedri Shala, Ilaz Kodra.

Po ashtu, ata kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë si dhe në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Vjetër dhe Nekoc.

https://www.facebook.com/komunadrenas/photos/pcb.3022979291130543/3022975687797570/?type=3&theater

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj është takuar sot…