Bahtiri mbështet protestën kundër rritjes së rasteve të dhunës seksuale në Mitrovicë
“Vajzat e Mitrovicës” kanë organizuar të mërkurën një protestë paqësore pas dhunës dhe ngacmimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit në qytetin e Mitrovicës.
Kësaj proteste i është bashkuar edhe kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri, i cili ka përkrahur iniciativën dhe protestën e organizuar kundër kësaj dukurie negative në këtë qytet.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri në fjalën e tij ka theksuar se i mbështet dhe do të jetë pjesëmarrës çdo herë kur organizohen aktivitete të tilla, që kanë për qëllim eliminimin e dukurive negative në qytetin e Mitrovicës, e veçmas ndaj ngacmimeve seksuale të cilat duhet të marrin dënimin e merituar nga organet e rendit dhe ligjit.
Gjithashtu, kryetari Bahtiri ka bërë me dije se për këto dukuri që kanë ndodhur ka reaguar menjëherë përmes institucioneve përgjegjëse, duke u përkujdesur që kryerësit e këtyre veprave t’u shqiptohet dënimi i merituar. Vlen të potencohet se kjo protestë ka filluar para objektit të Komunës së Mitrovicës, duke vazhduar tek gjykata, dhe ka zgjatur përafërsisht një orë.