PDK-ja nuk i shkon Hotit në takim, ftesën e tij e quan joserioze

17 qershor 2020 | 17:25

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka refuzuar ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për takimin e nesërm ( e enjte) për të diskutuar me liderët e partive politike para takimit në Uashington, i cili do të mbahet më 27 qershor në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas PDK-së, ftesa e Hoti është joserioze dhe është bërë pa konsultim paraprak.

“Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është dialogu”, është thënë në deklaratën e PDK-së.

Deklarata e plotë e PDK-së lidhur me ftesën e kryeministrit Hoti për takimin e nesërm të liderëve:

Qasja e kryeministrit Avdullah Hoti, duke dërguar fillimisht ftesa nga rrjetet sociale dhe studiot televizive, nuk është serioze.

Kjo është vazhdimësi e ish-qeverisë Kurti.

Ftesa e dërguar nga kryeministri Hoti, në mënyrën si është bërë, pa konsultim paraprak, është veprim i qëllimshëm i dështimit të takimit të nesërm.

Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është dialogu. Urojmë që ky kryeministër do të reflektojë para një ftese tjetër dhe do të jetë më serioz.

Ndryshe, aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë edhe Kosova. BE-ja ka ndihmuar Kosovën në agjendën evropiane dhe duhet të marrë përgjegjësi edhe në procesin e dialogut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar pjesët e para në dy ndeshjet kthyese të…