Tre ish-deputetë të Nismës propozohen për zëvendësministra

18 qershor 2020 | 11:38

Nisma Socialdemokrate ka propozuar tre ish-deputetë të kësaj partie për zëvendësministra në qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Bëhet fjalë për Valdete Bajramin, Enver Hotin dhe Zafir Berishën, të cilët pritet të emërohen nga Hoti në pozitën e zëvendësministrave.

Deputeti i kësaj partie, Endrit Shala ka bërë me dije për “Epokën e re” se Valdete Bajrami është propozuar për zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Enver Hoti për zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) dhe Zafir Berisha për zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

“Në mbledhjen e Kryesisë më shumicë votash është propozuar që Valdete Bajrami të jetë zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Enver Hoti në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Zafir Berisha në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, ka thënë Shala.

Më herët, Nisma Socialdemokrate ka propozuar për zëvendësministër të Punëve të Jashtme edhe, Bekim Brestovcin.

Partia e drejtuar nga Fatmir Limaj në Qeverinë Hoti përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi.

(Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Islami Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione…