Gjakova, Istogu dhe Ferizaj, të gatshëm për zhvillim dhe avancimin e basketbollit 

20 qershor 2020 | 11:01

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ka vizituar Gjakovën, Istogun dhe Ferizajn. Ai gjatë vizitave në këto komuna ka kërkuar nga kryetarët Ardian Gjini, Haki Rugova dhe Agim Aliu që të përkrahen edhe më shumë klubet e basketbollit.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme për zhvillimin dhe avancimin e basketbollit në qytete të ndryshme të Kosovës.

Numri një i FBK-së është takuar me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova dhe kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Kryetari i FBK-së në këto takime ka qenë i shoqëruar nga anëtarë të bordit dhe zyrtarë të lartë të federatës. “Ideja e këtyre takimeve dhe pikërisht në këto tri qytete ka qenë mbështetja e klubeve aktive nëpër këto qytete nga ana e FBK-së, por edhe atyre që pritet të riaktivizohen në ditët në vijim. Unë jam shumë i kënaqur me rrjedhën e këtyre tri takimeve sepse është e rëndësisë së veçantë që të kemi mbështetjen direkte nga njerëzit kryesorë të këtyre komunave. Përveç mbështetjes që klubet tona të këtyre qyteteve e kanë marrë deri më tani dhe do ta marrin në vazhdim nga komunat përkatëse, ne si FBK jemi zotuar se do të vazhdojmë të kontribuojmë në zhvillimin e këtyre skuadrave, por edhe basketbollit në përgjithësi në këto qytete”, ka thënë Fetahu.

Kryetari Fetahu ka bërë me dije se me kryetarin Gjini kanë biseduar për kthimin e Vëllaznimit në Superligë dhe për përkrahjen e vazhdueshme që komuna ua jep dy ekipeve të basketbollit si dhe për zhvillimet infrastrukturore dhe punët që duhet kryer brenda palestrës. Sipas Fetahut, është shprehur gatishmëria e komunës për ta shtuar përkrahjen për dy ekipet e Vëllaznimit (meshkuj/femra). Gjini dhe Fetahu janë pajtuar që ta thellojnë bashkëpunimin gjatë verës për të mobilizuar përkrahje edhe më të madhe për basketbollin gjakovar dhe për ta rikthyer namin e dikurshëm të qytetit si vatër e basketbollit.

Në Istog është mirëpritur vizita e kreut të FBK-së dhe përkrahja për basketbollin e Istogut nga kryetari i Komunës, Haki Rugova. Është diskutuar për palestrën që është në përfundim e sipër dhe për inaugurimin e saj me një ndeshje revyale ndërmjet KB Istogut dhe Përfaqësueses A të Kosovës në vjeshtën e këtij viti. Në këtë takim është theksuar puna e madhe dhe shembullore që KB Istogu ka bërë për zhvillimin e basketbollit dhe për idetë e mëtejme për zgjerimin e veprimtarisë te vajzat dhe grupmoshat e tjera.

Pas takimit, me ftesë të nikoqirit, kryetarit Rugova u zhvillua një vizitë në palestrën e mrekullueshme të Istogut, punimet në të cilën janë në finalizim e sipër, për të parë për së afërmi kushtet infrastrukture në të cilat sporti istogas pritet t’i zhvillojë garat nga vjeshta e tutje.
Në takim me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është biseduar për riaktivizimin e basketbollit të meshkujve në qytetin e dytë në Kosovë sa iu përket kapaciteteve ekonomike. Kthimi i basketbollit në konkurrencën e meshkujve dhe shtimi i përkrahjes për vajzat ferizajase ishte bosht i diskutimeve të zhvilluara në atmosferë tejet miqësore dhe bashkëpunuese ndërmjet të parit të FBK-së dhe kryetarit të Komunës së Ferizajt. U premtua përkrahje e shtuar materiale dhe funksionale për rithemelimin e klubit të basketbollit nga Ferizaj dhe për projektin afatgjatë të zhvillimit të basketbollit në këtë komunë. Ideja është që së shpejti të bëhet publik lajmi për rithemelimin e KB Kastrioti dhe fillimin e garave në kuadër të FBK-së.

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka…