Osmani nga Obiliqi: Investimi në ambient garanton zhvillim ekonomik

22 qershor 2020 | 11:41

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar në Obiliq bashkë me disa deputetë.

Osmani ka bërë me dije se kanë nisur këtë turne të vizitave nëpër qytete të cilat kanë probleme me ndotjen e ajrit.

“Po fillojmë me vizitat tona të gjelbra. Qytetet që synojnë t’i vizitojmë janë qytete që kanë probleme me çështje ambientale. Synimi është që të bëhen të gjelbra. Nëse nuk flasim për ambientin nënkupton se nuk flasim për shëndetin”.

“Miratimi i Ligjit të Obiliqit, zbatimi i tij janë shembull i drejtpërdrejt i asaj se sa funksionojnë institucionet. Duhet ta shohim si model të matjes, për të garantuar një jetë më të mirë dhe për ta bërë prioritar shëndetin tonë. Obiliqi është vend ku e kemi Kosovën A dhe Kosovën B, që ka problem me hirin dhe liqenin e kaltër. As fëmijët mos t’i afrohet atij liqeni, sepse mund të duket bukur, por është tepër i rrezikshëm për shëndetin e të gjithëve”, ka thënë Osmani.

Më tutje, ajo ka theksuar se investimi në ambient është investimi në zhvillim ekonomik.

“Vetëm një shtet që investon në shëndet mund të garantojë zhvillim ekonomik për të ardhmen. Brenga e ambientit nuk duhet të shihet si brengë e së sotmes, por si potencial për zhvillim ekonomik. Nëse të rinjtë rriten në ambient të shëndosh atë herë potenciali i tyre është më i madh”, është shprehur Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anësori i Ballkanit, Arbër Hoxha ka këputur ligamentet e gjurit…