Prizrenasja zgjedhet kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit

23 qershor 2020 | 13:59

“Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. Faleminderit shumë!”, ka thënë Ylfete Fanaj në gjuhën shqipe pasi është zgjedhur kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit.

Ajo ka thënë se falë votës së deputetëve, është bërë lucernasja e parë e Lucernit.

“Sot ka ndodhur diçka e paimagjinueshme: falë votimit tuaj jam lucernasja numër 1. Me këtë votim keni bërë të mundur që 50 vjet pas hyrjes në fuqi të të drejtës së votës për gratë, të zgjidhet një grua, me prejardhje të huaj në postin më të lartë politik të kantonit. Këtë e bën të mundur Zvicra”, ka thënë Fanaj, shkruan “albinfo.ch”.

Fanaj ka përshëndetur edhe faktin se po në këtë sesion të parlamentit është zgjedhur, për herë të parë një kryetare me prejardhje të huaj.

Më tutje, Fanaj ka përshëndetur dhe falënderuar edhe prindërit e saj për mbështetjen që i kanë ofruar në ngritjen e saj shkollore dhe politike.

Zgjedhja e Ylfete Fanajt në postin e kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit është rasti i parë, jo vetëm në këtë kanton, që të zgjidhet një grua me prejardhje të huaj në këtë nivel kaq të lartë.

Këtë e kanë theksuar në fjalët e tyre përshëndetëse si kryetar i deritashëm i parlamentit, Josef Wyss, kryetari i Qeverisë së Kantonit të Lucernit, Paul Winkler, etj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Kosova dhe Shqipëria e kanë ndërtuar të kaluarën dhe të…