Nuk ka kuorum për votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare

23 qershor 2020 | 14:30

Votimi për pesë marrëveshjet ndërkombëtare është shtyrë për një seancë tjetër, pasi nuk pati kuorum në seancën e sotme të Kuvendit.

Seanca për këto marrëveshje u shty, derisa Kryesia e Kuvendit të caktojë një senacë të re.

Në orën 15:30 Kuvendi do të mblidhet sërish ku kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë para deputeteve për takimin që do të mbahet më 27 qershor në Uashington, raporton “Epoka e re”.

Këto ishin projektligjet që do duhej të votoheshin sot në Kuvend dhe për të cilat do të duhej 2/3 e deputetëve të pranishëm: Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e fuqizimit të sektorit financiar; Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan; Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”; si dhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit…